BALLKANI

Kosovë, arratiset i dënuari për përfshirje në vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq

Gjykata Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se ka lëshuar urdhërarrest ndaj Marko Roshiqit

Agim Sulaj  | 09.07.2024 - Përdıtësım : 10.07.2024
Kosovë, arratiset i dënuari për përfshirje në vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq Foto: Arkiv

Prishtinë

Marko Roshiq, i dënuar me 10 vjet burgim nga Gjykata Themelore e Prishtinës për përfshirje në vrasjen e ish-politikanit serb Oliver Ivanoviq, është arratisur, raporton Anadolu.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës në veri, Veton Elshani, konfirmoi për Anadolu se Roshiq është arratisur më 28 qershor, ditën kur u shpall fajtor nga organet e drejtësisë në Kosovë.

"Po, më 28 qershor ai ka ikur. Ai nuk ka qenë në burg", ka deklaruar Elshani.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se ka lëshuar urdhër arresti ndaj Marko Roshiqit.

Sipas Gjykatës, fillimisht pas caktimit të masës së paraburgimit ndaj Roshiq, Stacioni Policor në Veri e ka marrë atë për ekzekutim, por më pas Policia nuk e ka gjetur atë në adresën e banimit dhe si rrjedhojë ka lëshuar urdhër arresti për të.

Po ashtu, Gjykata bëri të ditur se i akuzuari ka qenë i njoftuar për datën e shpalljes së aktgjykimit, mirëpo nuk ka qenë prezent as në shpallje.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 28 qershor 2024 shpalli aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq, ku katër të akuzuarit, Nedelkjo Spasojeviq, Marko Roshiq, Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq, u dënuan me mbi 20 vjet burgim së bashku.

Gjykata dënoi me katër vjet e gjashtë muaj burgim Nedelko Spasojeviqin për pjesëmarrje në një grup kriminal që e organizoi vrasjen, Marko Roshiq është dënuar me dhjetë vjet burgim për veprën penale pjesëmarrje në krim të organizuar, ndërsa ndërsa Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq janë dënuar me nga katër vjet burgim. Nga akuzat është liruar i dyshuari Sillvana Arsoviq.

Udhëheqësi i nismës qytetare “Liria, Demokracia, Drejtësia” (SDP), Oliver Ivanoviq, u vra në orët e para të 16 janarit të vitit 2018 para selisë së partisë së tij në Mitrovicën e Veriut nga të shtënat nga një veturë në lëvizje.

Të akuzuarit për përfshirje në vrasjen e Oliver Ivanoviqit kishin mohuar fajësinë disa here në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın