BALLKANI

Kosovë, Çedomir Aksiq dënohet në mungesë me 15 vjet burgim

Nga janari deri në maj 1999 Aksiq bashkë me persona të tjerë të paidentifikuar, me veshje ushtarake dhe policore, kanë kryer vrasje, cenim të integritetit trupor dhe shëndetit të popullatës civile të pambrojtur dhe dëbim të popullatës civile

Agim Sulaj  | 26.12.2024 - Përdıtësım : 28.12.2024
Kosovë, Çedomir Aksiq dënohet në mungesë me 15 vjet burgim

Prishtinë

I akuzuari Çedomir Aksiq është dënuar në mungesë me 15 vjet burgim për krime lufte, nga Gjykata Themelore në Prishtinë, transmeton Anadolu.

Gjykata Themelore e Prishtinës e shpalli vendimin pa praninë e të dënuarit Aksiq në seancën gjyqësore, që njëherësh përbën edhe rastin e parë të gjykimit në mungesë, qysh prej ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale që mundësojnë një procedurë të tillë.

Kryetarja e trupit gjykues, Viloleta Namani-Hajra, ka thënë se nga muaji janar deri në maj 1999 Aksiq bashkë me persona të tjerë të paidentifikuar, me veshje ushtarake dhe policore, kanë kryer vrasje, cenim të integritetit trupor dhe shëndetit të popullatës civile të pambrojtur dhe dëbim të popullatës civile në fshatrat e Shtimes Mollopolc, Petrovë e Reçak.

"Në periudhën kohore nga muaji janar në maj të '99-tës në bashkëkryerje me persona të tjerë tani për tani të paidentifikuar, të organizuar, të veshur me uniforma policore e ushtarake, ka shkaktuar vuajtje të mëdha apo cenim të integritetit trupor ose të shëndetit, frikësim ndaj popullatës së pambrojtur civile, vrasje, urdhërim për zhvendosje të popullatës civile për shkak që lidhet me konflikt të luftës drejtuar me qëllim ndaj popullsisë civile dhe ndaj individëve të veçantë civilë që nuk marrin drejtpërdrejt në konflikt apo luftë", theksoi Namani-Hajra.

Ai është dënuar ndër të tjera edhe për vrasje në masakrën e Reçakut.

"Më datën 15 janar të vitit 1999 në fshatin Reçak, komuna e Shtimes, në bashkëkryerje me persona të tjerë ka marrë pjesë në vrasjen e Hajriz Brahimit, Haki Muratit, Sadri Muratit, Arif Muratit, Ahmet Mustafës, Sadik Mujotës, Skender Halilit, Hanumshahe Mujotës dhe Mehmet Mustafës në atë mënyrë që derisa kishte filluar sulmet e armatosura në drejtim të popullsisë shqiptare civile dhe derisa i moshuari Hajriz Brahimi, tani i ndjerë kishte filluar të largohej nga shtëpia e tij në drejtim të malit, papritmas i pandehuri me grupin e tij ka shtënë me armë zjarri në drejtim të tij dhe është goditur menjëherë, ashtu që pas disa sekondash ka rënë në tokë i vdekur", tha Namani-Hajra.

Sipas dokumenteve gjyqësore, Aksiq tani jeton në Krushevc të Serbisë.

Mundësia e gjykimeve në mungesë është përfshirë në Kodin e Procedurës Penale nga viti 2019. Kodi ndërkohë pësoi ndryshime më 2021 e 2022, derisa aktakuza e parë në mungesë u ngrit vitin 2023.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.