Agim Sulaj
12 gusht 2026•Përditësim: 12 gusht 2026
Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) po qëndrojnë në sallën e Kuvendit, duke bërë thirrje për vazhdimin e seancës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, raporton Anadolu.
Të dyja këto parti i kanë bërë thirrje kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, që të ftojë vazhdimin e kësaj seance.
Deputeti i PDK-së, Arian Tahiri, nga foltorja e Kuvendit tha se deputetëve ua ka dhënë mandatin qytetari dhe atë nuk mund t'ua marrë askush.
"Me qëllim që ta mbrojmë kushtetutshmërinë, me qëllimin që ta funksionalizojmë Kuvendin, përkundër kërkesës sonë nuk është thirrur vazhdimi i seancës andaj ne kemi vepruar drejtë dhe kemi ardhur këtu ku e kemi mandatin në mënyrë që ta përcjellim si qëndrimin tonë. Ne do të vazhdojmë me qëndrime dhe aktivitete tona politike. Nëse shteren mundësitë brenda Kuvendit, do të jenë hapat tonë tjerë të guximshëm për ta mbrojtur shtetin", tha Arian Tahiri.
- "Nuk do të lejojmë në asnjë formë që të dhunohet e drejta e qytetarëve"
Ndërkaq deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se s'do të lejohet "dhunimi i së drejtës së qytetarëve".
"Sovraniteti i takon popullit, i takon institucioneve të zgjedhura dhe ne që jemi këtu jemi të zgjedhur. Bllokimi i kuvendit është cenim i sovranitetit, rendi kushtetues dhe demokracisë. Nuk do të lejojmë në asnjë formë që të dhunohet e drejta e qytetarëve që me pas institucione", ka thënë ai.
PDK-ja si partia që u ka bërë thirrje edhe partive tjera në opozitë, ka kërkuar që seanca të thirret pa vonesa dhe deputetëve të zgjedhur t'u mundësohet ushtrimi i mandatit të tyre.
Megjithatë, kryesuesi Dehari ka thënë se pa marrëveshje politike mes partive për çështjen e presidentit, seancat do të ishin "shterpe".
Të premten, më 7 gusht, përfundoi afati 30-ditor për konstituim të Kuvendit të Kosovës, megjithatë, vazhdimi i seancës së nisur të enjten u mbajt të shtunën.
Në të dy seancat e fundit kryetari i subjektit më të madh politik, Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti, kërkoi më shumë kohë për të negociuar me partitë tjera për çështjen e presidentit.