BALLKANI

Kosovë, filloi edicioni i 42-të i Seminarit Ndërkombëtar për Albanologji

Seminari përveç tryezave shkencore, referimeve, kurseve të gjuhës shqipe për të huaj dhe publikimeve të ndryshme, do të jetë promotor i kulturës shqipe

Agim Sulaj  | 19.08.2024 - Përdıtësım : 20.08.2024
Kosovë, filloi edicioni i 42-të i Seminarit Ndërkombëtar për Albanologji Foto: Erkin Keçi / AA

Prishtinë

Ka nisur në Prishtinë edicioni i 42-të i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Kulturën dhe Letërsinë Shqiptare, apo Albanologji, që njëherësh shënon edhe 50-vjetorin e themelimit të ngjarjes, raporton Anadolu.

Në hapjen e këtij edicioni në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK), morën pjesë ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Hajrulla Çeku, rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi, akademikë dhe të ftuar të tjerë.

Seminari përveç tryezave shkencore, referimeve, kurseve të gjuhës shqipe për të huaj dhe publikimeve të ndryshme, do të jetë promotor i kulturës shqipe nëpërmjet vizitave të organizuara në Prekaz të Skenderajt, ekskursioneve, shfaqjes së filmave dhe ngjarjeve të tjera me rreth 300 pjesëmarrës.

Drejtori i Seminarit, profesori Bardh Rugova, çmoi lartë kontributin e akademikut Rexhep Ismajli si themeluesi i Seminarit, duke thënë se ai ka bërë të hapen dyert e albanologjisë në piedestal botëror.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, "Hasan Prishtina", Qerim Qerimi, tha se jeta e gjithë qytetit gjatë këtyre dy javëve sa mbahet seminari, ndryshon për shkak të ardhjes së studentëve dhe studiuesve të gjuhës shqipe nga vende të ndryshme të botës.

Ai tha se në Kosovë e në Shqipëri duhet një frymë e përbashkët zhvillimi dhe vizioni për dijen në përgjithësi, e sidomos për albanologjinë.

"Seminari është një medium i përvitshëm zhvillimesh, risish, debatesh shkencore në fushën e gjuhës, të letërsisë dhe kulturës tonë të pasur dhe të dashur. Një organizim universitar që bënë bashkë prurjet shkencore dhe mësimin për gjuhën shqipe duke na krenuar secilën herë për numrin e të rinjve dhe të rejave që për dy javë zgjedhin që të mësojnë gjuhën shqipe në Universitetin e Prishtinës", theksoi Qerimi.


- "Për 50 vite seminari ka afirmuar gjuhën shqipe"

Ministri i MKRS-së, Hajrulla Çeku, tha se nga viti 1974 kur u themelua ky seminar, për 50 vite seminari ka afirmuar gjuhën shqipe.

"Sot ky seminar nën ombrellën e tij trajton jo vetëm gjuhën shqipe, por edhe letërsinë dhe gjithë kulturën shqiptare. Kjo përgjegjësi e zgjeruar dhe shumë e nevojshme, vjen edhe si testament e rrugëtimit të vështirë që pati seminari ndër vite dhe dekada", theksoi Çeku.

Një tryezë e veçantë gjatë ditëve të Seminarit do t’i kushtohet veprës letrare të shkrimtarit shqiptar, tashmë të ndjerë, Ismail Kadare.

Organizatorët kanë bërë të ditur se sivjet të ftuar janë disa prej figurave më eminente të albanologjisë dhe gjuhës në botë, si gjuhëtari Brian Joseph, akademiku Ranko Matasoviq, profesori Jose Manuel Floristan Imizcoz, ligjëruesi Phil Hubbard, që kthehet në ngjarje pas 47 vjetësh, albanologu Rexhep Ismajli e historiani Oliver Jens Schmitt.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.