Kosovë, gjenden eshtrat e tre viktimave të Masakrës së Kralanit
Masakra e Kralanit ndodhi në mars dhe prill të vitit 1999 ku u ekzekutuan mbi 80 civilë të moshave të ndryshme si burra, gra, pleq dhe fëmijë

Prishtinë
Janë gjetur në Kosovë eshtrat edhe të tre viktimave të luftës së vitit 1999, konkretisht viktima të Masakrës së Kralanit, në Gjakovë, transmeton Anadolu.
Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur bëri të ditur se pas 26 vjet pritjeje dhe kërkimi, informuan familjet për identifikimin e mbetjeve mortore (eshtrave) të cilët ishin në Listën e Personave të Zhdukur, që nga koha e luftës.
Komisioni bëri të ditur se bëhet fjalë për Sabedin (Kadri) Kryeziu, nga fshati Mleqan – Malishevë; Mentor (Maliq) Kryeziu, nga fshati Bubavec – Malishevë dhe Vehbi (Pajazit) Halilaj, nga fshati Llapqevë – Malishevë.
"Informimi zyrtar i familjeve është bërë nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore, me praninë e kryetarit të Shoqatës së Familjeve të Viktimave të Luftës dhe Personave të Zhdukur "Kujtesa" dhe përfaqësuesve të Komunës së Malishevës", thuhet në njoftim.
Këto tri identifikime vijnë pas identifikimeve të tetë viktimave të tjera nga e njëjta masakër, eshtrat e të cilëve u gjetën dhe zhvarrosën nga lokacioni i varrit masiv në Bishtazhin të Gjakovës dhe për të cilat familjet u njoftuan gjatë javës së kaluar.
Masakra e Kralanit ndodhi në mars dhe prill të vitit 1999 ku u ekzekutuan mbi 80 civilë të moshave të ndryshme si burra, gra, pleq dhe fëmijë.
Sipas të dhënave ndërkombëtare rreth 13.535 persona janë vrarë apo zhdukur në Kosovë gjatë viteve 1998-2000 nga të cilët mbi 10 mijë persona kanë qenë civilë ndërsa 1.133 prej tyre kanë qenë fëmijë të vrarë apo të zhdukur.
Që nga përfundimi i luftës në Kosovë, ende nuk dihet fati i rreth 1.600 të pagjeturve.