BALLKANI

Kosovë, kanë nisur punimet për ndërtimin e rrugës Prizren – Tetovë

Kryeministri Albin Kurti, pasditen e sotme vizitoi fillimin e punimeve të projektit të rrugës Prizren - Tetovë, përkatësisht në segmentin Struzhë - Kyçja në autostradën “Ibrahim Rugova” në Prizren

Agim Sulaj  | 13.08.2024 - Përdıtësım : 13.08.2024
Kosovë, kanë nisur punimet për ndërtimin e rrugës Prizren – Tetovë Foto: Zyra e Kryeministrit të Kosovës

Prishtinë

Autoritetet kosovare kanë bërë të ditur se kanë nisur punimet në ndërtimin e rrugës që lidhë qytetin kosovar, Prizrenin, me qytetin e Maqedonisë së Veriut, Tetovën, transmeton Anadolu.

Siç bënë të ditur Zyra e Kryeministrit të Kosovës, kryeministri Albin Kurti, pasditen e sotme vizitoi fillimin e punimeve të projektit të rrugës Prizren - Tetovë, përkatësisht në segmentin Struzhë - Kyçja në autostradën “Ibrahim Rugova” në Prizren.

Projektin për ndërtimin e kësaj rruge që përfshinë njërën rrugë në dalje të autostradës “Ibrahim Rugova” dhe tjetra në afërsi të Fshatit Struzhë, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës e ka tenderuar që në muajin prill të këtij viti në 3 llote. Në LOT-in 1 dhe LOT-in 3, punimet filluan sot. Vlera totale e projektit është paraparë të jetë 35 milionë euro, me gjatësi prej 20.3 km.

Nga vendpunimi i LOT-it 3, kryeministri tha se ky projekt është i rëndësisë së jashtëzakonshme infrastrukturore, që lidh dy qytete, dy shtete, me rëndësi të veçantë si për qytetarët ashtu edhe për ekonominë. Ky lot ka gjatësinë prej afër 7 kilometrave dhe është në vlerë prej 8.3 milionë euro.

Ndërkaq, pas vizitës së LOT-it të parë, ai u shpreh se synimi është që t’i jepet mbështetje maksimale këtij aksi rrugor, këtij projekti infrastrukturor, që të kryhet sa më shpejtë për shkak se shumë kohë është humbur që Prizreni e Tetova të mbesin kaq gjatë të ndara.

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, u shpreh se ky projekt përpos që e lidh autostradën “Ibrahim Rugova” me korridorin Jon-Adriatik dhe me korridorin 8, shërben edhe për turizëm malor nga të dyja anët dhe kontribuon në zhvillimin ekonomik të dy vendeve.

Sipas planifikimeve të përafërta, për komplet rrugën Prizren-Tetovë, ajo pritet të kushtojë rreth 200 milionë euro.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın