Agim Sulaj
12 maj 2020•Përditësim: 13 maj 2020
Kryetarja e Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes në Kuvendin e Kosovës, Fatmire Kollçaku ka thënë se çështjet e sigurisë në Kosovë në kohën e pandemisë me koronavirusin e ri (COVID-19) deri më tani janë menaxhuar me sukses, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një deklarim për media pas mbledhjes së këtij komisioni ku u diskutua menaxhimi i situatës se sigurisë gjatë koronavirusit, Kollçaku tha se kanë ftuar drejtorin e Policisë së Kosovës që gjatë kësaj jave ta mbajnë edhe një takim me të, për sqarimin e detajeve mbi sigurinë.
“Unë si kryetare e Komisionit konstatova se kemi pasur një menaxhim të suksesshëm të epidemisë me COVID-19 në Kosovë. Kemi një siguri në nivelin e duhur në vend dhe nuk kemi ndonjë shqetësim në këtë drejtim”, tha Kollçaku e cila tha se në komision ka pasur bashkëbisedim të hapur midis anëtarëve të këtij komisioni, me vërejtje, sugjerime e propozime rreth çështjes së sigurisë.
Anëtarja e këtij komisioni nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Ganimete Musliu tha se gjendja me sigurinë në vend është “shumë e pakënaqshme”, ndërsa gjatë ditëve të fundit ajo tha se Kosova ka pasur një liri të tepruar në raport kufitar me Serbinë.
“Gjatë këtyre ditëve kanë ndodhur shumë gjëra. Kemi pasur një lirim të lëvizjes me fqinjin tonë verior, shumë persona kanë hyrë në emër të humanitetit dhe shëndetësisë, të cilët thirren si mjekë por ne nuk e dimë se a janë verifikuar dhe kush janë ata në të vërtetë. Kemi pasur pastaj edhe maune të ndryshme të cilat kanë depërtuar me provokime shumë të rënda të sigurisë”, tha Musliu.
Ajo shtoi se Policia e Kosovës nuk ka pasur kushte të mjaftueshme për punë nën masa të sigurisë, duke iu munguar dorezat, maskat, dezinfektuesit ndërsa janë obliguar të punojnë nga 12 orë në ditë, me kushte jo adekuate.
Në këtë komision është konstatuar se fillimisht duhet të ndodhë takimi me drejtorin e Policisë së Kosovës, e më pas të vendoset rreth asaj se a duhet Ministria e Shëndetësisë apo jo të vazhdojë me fazën e dytë lehtësuese në përballimin me koronavirusin.
Më 4 maj, Ministria e Shëndetësisë, e cila është autorizuar nga Qeveria e Kosovës, mori vendim për implementimin e masave lehtësuese, të cilat përfshijnë hapjen e ndërtimtarisë dhe patundshmërisë, tregtisë së automjeteve, riparimin e artikujve personale dhe orendive, si dhe zyrat e konsulencës, të cilat mbeten në fuqi deri më 18 maj.
Ndërsa kalimi nga faza e parë në fazën e dytë lehtësuese më 18 maj, ministri Vitia ka theksuar se do të varet nga mbarëvajtja e fazës së parë.
Deri më tani në Kosovë janë regjistruar 895 raste pozitive me koronavirus, ndër të cilët 28 kanë vdekur dhe 657 janë shëruar.