Agim Sulaj
26 Dhjetor 2022•Përditësim: 27 Dhjetor 2022
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim komandantin e Forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR), Gjeneral Major Angelo Michele Ristuccia, dhe shefin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Lars Gunnar Wigemark, raporton Anadolu Agency (AA).
Siç njofton Zyra e Kryeministrit të Kosovës, pas takimit që ka zgjatur rreth një orë në Qeverinë e Kosovës, në takimin e përbashkët me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, u bisedua për bashkëpunimin e afërt ndërmjet Qeverisë së Kosovës, KFOR-it dhe EULEX-it, përbrenda mandateve që kanë, derisa është folur edhe lidhur me veprimet e strukturave kriminale në veri të Kosovës, të cilat cenojnë rëndë sigurinë në vend.
“Konstatim i përbashkët nga ky takim është se liria e lëvizjes duhet të rivendoset dhe se nuk duhet të ketë barrikada në asnjë rrugë. Gjatë takimit u pajtuam për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional dhe bashkërendimin e veprimeve, në shërbim të paqes dhe sigurisë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, që është qëllim dhe prioritet i përbashkët i institucioneve të Republikës së Kosovës, KFOR-it dhe EULEX-it”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit të Kosovës.
Gjithashtu, bëhet e ditur se në këtë takim është theksuar edhe profesionalizmi, maturia dhe guximi i dëshmuar i Policisë së Kosovës, në ruajtje të sigurisë dhe rendit publik në mbarë territorin e Republikës së Kosovës.
Të dielën në mbrëmje KFOR-i konfirmoi se ka parë dhe dëgjuar të shtëna afër patrullës së kësaj force e cila po qëndronte në një fshat të Komunës së Zubin Potokut në veri, atje ku serbet lokalë kanë vendosur barrikada duke bllokuar rrugët që nga 10 dhjetori.
KFOR-i nëpërmjet një komunikate për media gjatë ditës bëri të ditur se “po punohet për zbardhjen e rrethanave të sulmit indirekt në afërsi të patrullës së KFOR-it”, teksa ka nënvizuar se është e rëndësishme që të shmangen veprimet që mund të shkaktojnë tensione dhe ta përshkallëzojnë situatën.