BALLKANI

Kosovë, mbyllen institucione paralele ilegale në veri

Institucionet kosovare bënë të ditur se në këto komuna paralele ishin lëshuar dokumente të falsifikuara

Agim Sulaj  | 30.08.2024 - Përdıtësım : 01.09.2024
Kosovë, mbyllen institucione paralele ilegale në veri

Prishtinë

Policia e Kosovës ka zhvilluar gjatë ditës një aksion për mbylljen e pesë objekteve të strukturave paralele në komunat veriore me shumicë serbe të Kosovës, transmeton Anadolu.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Elbert Krasniqi, ka bërë të ditur se institucionet e Kosovës në koordinim të ngushtë kanë mbyllur këto komuna paralele.

“Pas një koordinimi të ngushtë në mes të institucioneve të Republikës së Kosovës janë mbyllur institucionet paralele ilegale të Vetëqeverisjes Lokale, të cilat kanë funksionuar nën direktiva të Serbisë duke cenuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës”, shkroi ministri Krasniqi.

Ai tha se komunat paralele të cilat nuk do të operojnë më janë: Qarku i Mitrovicës së Kosovës, Komuna paralele e Mitrovicës, Komuna paralele e Zveçanit, Komuna paralele e Zubin Potokut dhe Komuna paralele e Leposaviqit.

Institucionet kosovare bënë të ditur se në këto komuna paralele ishin lëshuar dokumente të falsifikuara.

“Institucionet e Republikës së Kosovës ofrojnë shërbime për të gjithë qytetarët, pa dallim. Ato janë adresa e duhur për të gjitha kërkesat dhe nevojat e qytetarëve tanë. Mbesim të përkushtuar për sa më shumë shërbime me cilësi sa më të lartë. Qytetarët pa asnjë dallim, kanë adresë të saktë ku mund t’i marrin shërbimet komunale dhe strukturat paralele e kanë të qartë se nuk mund të operojnë jashtë kornizës ligjore të Republikës së Kosovës”, shtoi tutje ministri Krasniqi.

Muaj më parë, autoritetet e Kosovës mbyllën edhe 7 komuna tjera paralele në Prizren, Pejë, Suharekë, Istog, Klinë, Rahovec dhe Dragash.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın