BALLKANI

Kosovë, mesatarisht rreth 732 ditë zgjat deri në mbylljen e një seance korruptive

"Gjyqësori në Kosovë vazhdon të mos i trajtojë me seriozitet rastet e korrupsionit të profilit të lartë", tha drejtoresha e Grupit për Studime Juridike dhe Politike, Loxha-Stublla

Agim Sulaj  | 27.03.2025 - Përdıtësım : 27.03.2025
Kosovë, mesatarisht rreth 732 ditë zgjat deri në mbylljen e një seance korruptive

Prishtinë

Korrupsioni vazhdon të mbetet ende fenomen shqetësues për Kosovën, thuhet në konkluzionin e një raporti monitorues të sistemit të drejtësisë të realizuar gjatë vitit 2023-2024, raporton Anadolu.

Në tryezën e organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ku u diskutua për atë se "Si i trajtuan gjykatat rastet e korrupsionit gjatë vitit 2024?", u publikua raporti monitorues i 466 seancave gjyqësore të cilat kanë pasur në fokus rastet e korrupsionit ku janë të përfshirë zyrtarë të lartë shtetërorë.

Drejtoresha e GLPS-së, Arbresha Loxha-Stublla tha se zyrtarët e GLPS-së, kanë monitoruar seanca gjyqësore nga 1 prilli 2023 deri më 31 dhjetor 2024.

"Së pari ne kemi gjetur se korrupsioni vazhdon të mbetet fenomen shqetësues për Kosovën dhe të njëjtën e theksojnë edhe shumë raporte tjera ndërkombëtare dhe vendore. Gjyqësori në Kosovë vazhdon të mos i trajtojë me seriozitet rastet e korrupsionit të profilit të lartë i cili si rezultat i bënë zyrtarët publik, sidomos zyrtarët e lartë, të paprekshëm dhe të padënueshëm, apo të paktën të padënueshëm denjësisht nga sistemi gjyqësor", theksoi Loxha-Stublla.

Ajo tha se rastet e korrupsionit të profilit të lartë janë stërzgjatur, seancat gjyqësore kanë vazhduar të dështojnë, të vonohen dhe të anulohen, duke penguar efikasitetin e gjyqësorit, derisa shtoi se ky dështim i kontribuon negativisht besimit të qytetarëve karshi institucioneve të drejtësisë.

Menaxherja e projektit Dea Fetiu tha se në 88 për qind të aktgjykimeve nuk specifikohet dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit, apo përfitimet e paligjshme të zyrtarëve publikë.

"Nëse i shohim sipas veprave penale, atëherë e kemi përsëri veprën e keqpërdorimit të pozitës zyrtare si më të shprehurën edhe sivjet, me 36 prej 78 aktgjykimeve të cilat kanë qenë për këtë vepër. E dyta, mbetet mosraportimi apo deklarimi i rremë i pasurisë dhe e treta dhënia e ryshfetit", theksoi Fetiu.

Ajo tha se vonesa deri në përmbylljen e rasteve të korrupsionit është një tjetër problem, ku këto raste mesatarisht zgjasin rreth 732 ditë në Kosovë.

Sa i përket diferencës gjinore në rastet kur personat janë akuzuar për korrupsion gjatë periudhës së monitorimit, prinë gjinia mashkullore me 122 individë të akuzuar ndërsa gjinia femërore me 16.

Nga 466 raste të monitoruara nga GLPS-së 117 seanca u anuluan ndërsa u mbyllën 349, prej të cilave 297 të rasteve korruptive dhe 52 raste të krimit të organizuar.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.