BALLKANI

Kosovë, presidentja Osmani dekoron familjen Jashari

Presidentja Osmani tha se në historinë e njerëzimit shumë rrallë ka ndodhur që një familje e tërë të flijohet për idealin e shenjtë të lirisë duke u bërë simbol i qëndresës dhe i dinjitetit kombëtar

Agim Sulaj  | 18.02.2025 - Përdıtësım : 19.02.2025
Kosovë, presidentja Osmani dekoron familjen Jashari

Prishtinë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një ceremoni të veçantë ka ndarë Dekorata Presidenciale, për personalitete të shquara vendore dhe ndërkombëtare të cilët kontribuan për lirinë e Kosovës dhe ata që vazhdojnë ta ndihmojnë ecjen e shtetit përpara, raporton Anadolu.

Në fjalën e saj në këtë ceremoni të mbajtur me rastin e përvjetorit të 17-të të pavarësisë së Kosovës, Osmani tha se kujtojnë dhe nderojnë ata që dhanë gjithçka për lirinë e vendit, ashtu siç është familja Jashari.

Osmani tha se në historinë e njerëzimit shumë rrallë ka ndodhur që një familje e tërë të flijohet për idealin e shenjtë të lirisë duke u bërë simbol i qendresës dhe i dinjitetit kombëtar.

"Sot titullin Hero do t'ia ndajmë Shaban Jasharit. Atij që inspiroi familjen dhe djemtë e tij. Kryefamiljarit të familjes Jashari e do të thoja kryefamiljarit të gjithë familjes së madhe të quajtur Kosovë. Por, deri më sot, përveç bacë Shabanit, Ademit e Hamzës, familja Jashari si emblem e lirisë dhe simbol i sakrificës sublime nuk ishte dekoruar në tërësi, për heroizmin, sakrificën dhe qendresën e saj të pashembullt", theksoi Osmani, e cila pas fjalës së saj i dha familjes Jashari dekoratë presidenciale si një akt që synon plotësimin e kësaj mungese, dekoratë të cilën e pranoi Bekim Jashari.

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili po qëndron në Kosovë për nder të 17 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, tha se historia shqiptarëve është një histori krenarie ku as pushtimet, as padrejtësitë as diktaturat dhe as gjenocidi nuk e thyen kurrë ndërgjegjen kombëtare.

Ai përmendi dëshmorët e shumë viseve të Shqipërisë të cilët ranë dëshmorë në luftën e Kosovës.

"Ata nuk pyetën për rreziqet: vepruan. Sepse, ndihma për vëllain është zgjedhje e natyrshme. Ata u përgjigjen siç u është përgjigjur gjithmonë Shqipëria Kosovës dhe Kosova thirrjes së Shqipërisë. Asokohe, ata u bënë ura në mes të një ëndërre dhe realitetit të sotshëm", theksoi Begaj.

Disa nga dëshmorët e dekoruar post-mortum në këtë ceremoni ishin edhe Fehmi e Xhevë Lladrovci, dëshmorë e luftës së Kosovës nga trevat e Shqipërisë, sikurse Indrit Cara, si dhe dhjetëra personalitete të cilët kontribuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.