BALLKANI

Kosovë, presidentja Osmani e kthen në Kuvend Ligjin për Këshillin e Sigurisë

Si arsyetim i këtij vendimi është përmendur se ndryshimet në këtë ligj, në situatat kur shpallet gjendje e jashtëzakonshme brenda shtetit mbeten krejtësisht të parregulluara, duke rrezikuar drejtpërdrejtë sigurinë kombëtare të Kosovës

Agim Sulaj  | 19.11.2024 - Përdıtësım : 19.11.2024
Kosovë, presidentja Osmani e kthen në Kuvend Ligjin për Këshillin e Sigurisë Foto: AA/Arkiv

Prishtinë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë vendim që ta kthejë në Kuvend pa e dekretuar Ligjin për Këshillin e Sigurisë së Kosovës të miratuar nga legjislativi më 31 tetor të vitit 2024, raporton Anadolu.

Në vendimin e bërë publik nga presidentja Osmani, si arsyetim i këtij vendimi është përmendur se ndryshimet në këtë ligj, në situatat kur shpallet gjendje e jashtëzakonshme brenda shtetit mbeten krejtësisht të parregulluara, duke rrezikuar drejtpërdrejtë sigurinë kombëtare të Kosovës.

Në vendimin e presidencës, citohet ky ligj i cili përcakton se “qëllimi i këtij Ligji është bashkërendimi dhe bashkëpunimi institucional në fushën e sigurisë kombëtare, përmes Këshillit të Sigurisë”.

“Ligji i miratuar nga Kuvendi ka fshirë të gjitha dispozitat e ligjit paraprak, respektivisht Kreun II, me të cilin rregullohet mandati, funksionimi, kompetencat dhe përbërja e Këshillit në gjendje të jashtëzakonshme. Si rrjedhojë e kësaj dhe në mungesë të një ligji tjetër në fuqi i cili do të rregullonte këtë fushë, funksionimi i Këshillit të Sigurisë gjatë gjendjes së jashtëzakonshme mbetet krejtësisht i pa rregulluar, duke rrezikuar kështu drejtpërdrejtë sigurinë kombëtare të shtetit tonë. Prandaj, shpallja e Ligjit për Këshillin e Sigurisë së Republikës së Kosovës do të krijonte zbrazëti ligjore në rregullimin e funksionimit të Këshillit të Sigurisë në gjendje të jashtëzakonshme, pikërisht në një situatë kur funksionimi i mirëfilltë e i bazuar në ligj është i rëndësisë jetike”, thuhet ndër të tjera në vendimin e presidencës.

Pas këtij vendimi, presidenca gjatë ditës njoftoi se ka kthyer në Kuvend edhe Ligjin për mbrojtjen e konsumatorit. Sipas institucionit më të lartë shtetërorë të Kosovës Ligji për konsumatorin është kthyer për shkak të dispozitave të caktuara “të cilat rrezikojnë mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetin e qytetarëve”.

“Neni 17, paragrafi 4 i Ligjit të miratuar nga Kuvendi pamundëson realizimin e qëllimit të synuar të Ligjit në raport me mbrojtjen e shëndetit dhe mjedisit të konsumatorit. Kjo sepse i njëjti cenon mundësinë e zbatimit të obligimeve kushtetuese të institucioneve kompetente në fushën e mbrojtjes së mjedisit, pasi që kufizon aplikimin e masave të tjera, siç mund të ishte kalimi në paketimin më të qëndrueshëm dhe më miqësor për mjedisin”, thuhet në vendimin e nënshkruar nga presidentja Osmani.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.