Kosovë, protestojnë sindikalistët e arsimit
Sindikalistët parashtruan disa kërkesa në protestë, si nënshkrimin e kontratës kolektive të arsimit, rritje pagash për arsimtarët, njohjen e përvojës së punës për mësimdhënësit e larguar nga puna në vitet e 90-ta, e të tjera
Prishtinë
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), ka protestuar të mërkurën në Prishtinë me disa kërkesa të parashtruara, raporton Anadolu.
Në një tubim tek Biblioteka Kombëtare e Kosovës, qindra mësimdhënës u bashkuan për të marshuar drejt Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, për t'i drejtuar kërkesat e tyre tek institucionet shtetërore.
"Duam nënshkrimin e Kontratës Kolektive", "E shenjtë është puna e mësuesit në edukimin e brezave të rinj", "Pensionistët ju arsimuan, ju po i ndëshkoni", "Ministre reflekto - fillo dialogun", ishin disa prej mesazheve që dërguar protestuesit para ministrisë.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj ka deklaruar se Qeveria Kurti dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, kanë "qëndrim armiqësor" ndaj SBASHK-ut dhe sindikatave, duke shtuar se kanë tentuar t'ia shuajnë sindikatave zërin arsimor.
Jasharaj tha se ministrja Nagavci asnjëherë nuk u bë zë i punëtorëve në arsim dhe asnjëherë nuk foli në Qeveri për kërkesat e punëtorëve të arsimit. "Ministrja asnjëherë të vetme nuk foli asnjë fjalë për kërkesat tona në Qeveri, por në të kundërtën, i injoroi ato. Dhe, kur mungon dialogu, mungon edhe demokracia", tha ai.
Sindikalistët parashtruan disa kërkesa në protestë, si nënshkrimin e kontratës kolektive të arsimit, rritje pagash për arsimtarët, njohjen e përvojës së punës për mësimdhënësit e larguar nga puna në vitet e 90-ta, e të tjera.
Sa i përket kontratës kolektive, para dy vjetësh, Ministria e Arsimit ka shkëputur kontratën kolektive me SBASHK-un, me arsyetimin se në kohën kur është nënshkruar, ministri i atëhershëm i Qeverisë i cili ishte në ushtrim të detyrës si ministër, ka pasur mungesë legjitimiteti.
Sindikata ka nënshkruar tri kontrata kolektive me pushtetin qendror, në vitin 2014, 2017 dhe më 2021. Këto kontrata iu mundësojnë mësimdhënësve mbulimin e shpenzimeve për udhëtim, kompensim të shujtës dhe shpërblim jubilar.
Qeveria e Kosovës këtë vit mori vendim ta rrisë koeficientin e pagave për sektorin publik, duke nisur nga 1 janari 2025, e ku përfshihen edhe mësimdhënësit. Marshi i sindikalistëve pas fjalëve, nga Ministria e Arsimit përfundoi përballë Kuvendit të Kosovës.