Kosovë, përkujtohet 24 marsi, fillimi i bombardimeve të NATO-s
"Dita kur aleatët e NATO-s u ngritën kundër së keqes, për ta mbrojtur një popull që po luftonte për ekzistencë, i rrezikuar nga regjimi gjenocidal i Serbisë", shkroi presidentja Osmani

Prishtinë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar fillimin e fushatës së bombardimeve të NATO-s në Kosovë, në përvjetorin e 26 të tyre, transmeton Anadolu.
Osmani nëpërmjet rrjeteve sociale ka thënë se 24 marsi 1999 është dita kur bota demokratike nuk heshti, derisa falënderoi aleatët që ndihmuan Kosovën për lirinë dhe pavarësinë e vendit.
"Dita kur aleatët e NATO-s u ngritën kundër së keqes, për ta mbrojtur një popull që po luftonte për ekzistencë, i rrezikuar nga regjimi gjenocidal i Serbisë. Ishte dita kur ndaj errësirës triumfoi drita e shpresës. Nga flaka e sakrificës dhe lufta çlirimtare, lindi Kosova e lirë! 26 vjet më pas, Kosova ecën krenare, sovrane dhe e palëkundur drejt të ardhmes më të ndritur", ka shkruar Osmani.
Përvjetorin e ndërhyrjes së parë të NATO-s në Kosovë e ka kujtuar edhe ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, i cili tha se kjo ditë shënoi momentum të ri për Kosovën.
"Lufta e UÇK-së dhe Intervenimi i NATO-s, 26 vite më parë, ishte e vetmja formë që arriti t'i jepte fund spastrimit etnik të Kosovës, të ndërpriste vrasjet e fëmijëve, grave, burrave e të moshuarve, dhunimet sistematike, përndjekjet, djegiet e dëbimet me dhunë dhe me forcë, prandaj 24 marsi është rreshtim jo vetëm me popullin e Kosovën por rreshtim edhe me anën e duhur të historisë së njerëzimit", shkroi Maqedonci.
Ai shtoi tutje se Kosova është e përkushtuar ta thellojë bashkëpunimin dhe angazhimin për t’iu bashkuar NATO-s.
Më 24 mars të vitit 1999 ndodhi fillimi i sulmeve ajrore të NATO-s kundër pozicioneve strategjike të ushtrisë së ish-Jugosllavisë.