BALLKANI

Kosovë, reagime pasi Gjykata Speciale i refuzon ish-presidentit Thaçi pjesëmarrjen në varrimin e babait

OVL-UÇK iu ka bërë thirrje institucioneve ndërkombëtare që të reagojnë ndaj kësaj shkeljeje të të drejtave themelore dhe të marrin masa që raste të tilla të mos përsëriten

Agim Sulaj  | 18.03.2025 - Përdıtësım : 18.03.2025
Kosovë, reagime pasi Gjykata Speciale i refuzon ish-presidentit Thaçi pjesëmarrjen në varrimin e babait

Prishtinë

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka thënë se ish-presidentit Hashim Thaçi i është refuzuar nga Gjykata Speciale ardhja në Kosovë për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të babait të tij, Haxhi Thaçi, transmeton Anadolu.

Në një reagim në rrjetet sociale, OVL-UÇK-ja e ka cilësuar këtë refuzim si akt të qëllimshëm dhe dashakeq të Dhomave të Specializuara me seli në Hagë, duke thënë se po synohet poshtërimi dhe degradimi jo vetëm i Thaçit, por i tërë luftëtarëve të lirisë së Kosovës.

“Ky vendim nuk është vetëm një shkelje flagrante e të drejtave themelore të njeriut, por edhe një akt që bie ndesh me vlerat universale të humanizmit dhe drejtësisë. Të ndalosh një bir që t'i japë nderimin e fundit babait të tij, është një akt i dhimbshëm që cenon dinjitetin dhe ndjenjat më të thella njerëzore”, thuhet në reagimin e OVL-UÇK-së.

Kjo organizatë u ka bërë thirrje institucioneve ndërkombëtare që të reagojnë ndaj kësaj shkeljeje të të drejtave themelore dhe të marrin masa që raste të tilla të mos përsëriten.

“U bëjmë thirrje institucioneve ndërkombëtare, organizatave të drejtave të njeriut, institucioneve dhe faktorit politik të Kosovës dhe Shqipërisë që të reagojnë fuqishëm ndaj kësaj shkeljeje të të drejtave themelore dhe të marrin masa që raste të tilla të mos përsëriten, sepse të drejtat themelore nuk duhet të jenë objekt i abuzimit apo i hakmarrjeve”, thuhet në reagim.

Tutje, OVL-UÇK-ja shtoi se lidhur me këtë, nuk do ta tolerojë heshtjen e institucioneve të Kosovës ndaj shkeljeve, abuzimeve dhe trajtimit përçmues që po u bëhet luftëtarëve nga Gjykata Speciale në Hagë.

Lidhur me rastin ka reaguar edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila tha se do t’u drejtohet Dhomave të Specializuara për këtë rast.

Haxhiu ka shkruar në Facebook se proceset gjyqësore duhet të jenë të drejta dhe të bazuara mbi respektimin e të drejtave të njeriut, derisa e quajti absurd vendimin e Speciales.

“Proceset gjyqësore duhet të jenë të drejta e të bazuara mbi respektimin e të drejtave më elementare njerëzore. Nuk ka gjë më njerëzore sesa të marrësh pjesë në varrimin e prindit. Andaj, krejt absurde nga ajo që kuptuam nga mediat se ish-presidentit Thaçi nuk i është dhënë leja për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të babës. Lidhur me këtë vendim të padrejtë do t’i shkruaj kryetares së Dhomave të Specializuara”, ka shkruar Haxhiu.

Haxhi Thaçi, babai i ish-presidentit Hashim Thaçi, ndërroi jetë të dielën në Qendrën Klinike Universitare të Kosvoës (QKUK), atje ku po trajtohej tash e disa ditë, ndërsa varrimi i tij do të bëhet nesër në fshatin Burojë të Skenderajt.

Ish-presidenti Thaçi, pas disa kërkesave të refuzuara, nën kontrollin e rreptë të hetuesve dhe njësiteve policore ishte lejuar nga Gjykata Speciale ta vizitonte babain e sëmurë në Prishtinë, më 13 mars, vetëm tri ditë para se ai të ndërronte jetë.

Ish-presidenti Thaçi po qëndron në paraburgim në Gjykatën Speciale për krime lufte në Kosovë, nga nëntori i vitit 2020.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın