BALLKANI

Kosovë, rriten për 20 për qind pensionet

Kryeministri Kurti, tha se situata me inflacionin është zbutur dhe ekonomia e vendit po i kthehet ritmit të filluar pas pandemisë

Agim Sulaj  | 07.10.2024 - Përdıtësım : 08.10.2024
Kosovë, rriten për 20 për qind pensionet

Prishtinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkë me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, kanë bërë të ditur se nga ky muaj do të rriten pensionet për disa kategori të pensionistëve me 20 për qind, transmeton Anadolu.

Në një konferencë për media në Qeverinë e Kosovës, kryeministri Kurti, tha se situata me inflacionin është zbutur dhe ekonomia e vendit po i kthehet ritmit të filluar pas pandemisë. Sipas Kurtit, në një situatë të tillë mund të bëhet planifikim më i qëndrueshëm buxhetor dhe rrjedhimisht u mor vendimi për rritjen e pensioneve.

"Duke filluar nga ky muaj, pra, muaji tetor 2024, do të rrisim për 20 për qind të gjitha pensionet si vijon: pensioni bazik i moshës, pensioni kontribut-pagues i plotë dhe parcial, pensioni i aftësisë së kufizuar për fëmijë dhe të rritur, pensioni për personat e verbër, pensioni për personat paraplegjik dhe tetraplegjik, pensioni familjar, pensioni ivalidor i punës dhe pensioni i parakohshëm për punëtorët e Trepçës", theksoi Kurti.

Ai tutje tha se nga muaji janar do të ketë rritje për 20 për qind edhe për pensionet e përcaktuara në Ligjin për kategoritë e luftës, përkatësisht familjeve të dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktimave të dhunës seksuale të luftës, viktimave civile dhe familjeve të tyre.

- "Nga kjo rritje do të ndikohen 304 mijë e 16 përfitues"

Ministri i Financave Hekuran Murati ka thënë se nga kjo rritje do të ndikohen 304 mijë e 16 përfitues dhe se ndikimi në buxhet i kësaj rritjeje do të jetë 100 milionë euro shtesë.

Rritja e fundit e pensioneve në Kosovë ishte bërë në fillim të vitit 2022, në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, të cilën Qeveria e miratoi gjatë kohës së pandemisë së COVID-19.

Me vendimin e fundit të Qeverisë, pensioni bazik i moshës do të rritet në 120 euro, pensioni kontribut-pagues për kategorinë e parë do rritet në 218 euro, për kategorinë e dytë 237 euro, për atë të tretë 256 euro dhe për atë të katërt 318 euro.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın