BALLKANI

Kosovë, shënohet Dita Ndërkombëtare e të Moshuarve

Bashkë me shënimin e ditës së të moshuarve, IKSHPK fillon nga sot edhe fushatën e vaksinimit kundër gripit sezonal

Agim Sulaj  | 01.10.2024 - Përdıtësım : 01.10.2024
Kosovë, shënohet Dita Ndërkombëtare e të Moshuarve Foto: Erkin Keçi / AA

Prishtinë

Ministria e Shëndetësisë se bashku me Institutin Kombëtar për Shëndetësi Publike në Kosovë (IKSHPK) kanë shënuar Ditën Ndërkombëtare të Personave të Moshuar me moton: "Përvoja dhe Kontributi ynë ka vlerë: Ndërtojmë komunitete të forta së bashku", raporton Anadolu.

Dhjetëra pensionistë, profesionistë të fushës së shëndetësisë u mblodhën për të shënuar këtë ditë në zyrat e IKSHPK-së në Prishtinë.

Zëvendësministri i Shëndetësisë, Arsim Berisha tha se të moshuarit përfaqësojnë një pasuri të vlefshme të përvojës, mençurisë dhe dashurisë. Ai tha se objektivi i Ministrisë është që të krijohet një mjedis ku çdo person i moshuar ndjehet i respektuar dhe mbrojtur në shëndet dhe aspektin socio-ekonomik.

"Dua të riafirmoj angazhimin e fuqishëm të Qeverisë për të përmirësuar cilësinë e kujdesit shëndetësor dhe për të ofruar shërbime shëndetësore cilësore për të moshuarit, duke adresuar nevojat e tyre specifike dhe duke garantuar kujdes të përkushtuar dhe të specializuar", theksoi Berisha.

Drejtoresha e Departamentit të Epidemiologjisë në IKSHPK, Arijana Osmani-Kalaveshi tha se motoja e kësaj dite "Përvoja dhe kontributi ynë ka vlerë", fton të reflektojë për rëndësinë e përvojës, urtësisë dhe dashurisë që ofrojnë të moshuarit.

Në një botë që po ndryshon me hapa të shpejtë, Osmani-Kalaveshi tha se përvoja e të moshuarve mbetet një shtyllë stabiliteti dhe urtësie.

"Ata na tregojnë se si të përballemi me sfidat e jetës, si të kujdesemi për njëri-tjetrin dhe si të mësojmë nga e kaluara. Përvojat e gjeneratave më të vjetra janë një mësim për gjeneratat e reja për të ndërtuar një të ardhme të fortë, më të qëndrueshme, ku shëndeti dhe mirëqenia janë ndër gjërat më të rëndësishme", theksoi ajo.

Bashkë me shënimin e ditës së të moshuarve, IKSHPK fillon nga sot edhe fushatën e vaksinimit kundër gripit sezonal.

Gjithsej 85 mijë doza të vaksinave do të jepen kundër gripit sezonal dhe do të fillohet me moshat e moshuara.

Dita Ndërkombëtare e të Moshuarve është një ditë e veçantë për personat e moshës së tretë në të gjithë botën. Më 14 dhjetor 1990 Asambleja e Përgjithshme e OKB-së caktoi 1 Tetorin si ditën e respektit global për të moshuarit.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın