Agim Sulaj
09 Maj 2022•Përditësim: 10 Maj 2022
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë bashkë me institucionet vendore, ambasadorët evropianë përfaqësues të shteteve të BE-së dhe qytetarët po e shënojnë me aktivitete të ndryshme në Kosovë 9 Majin – Ditën e Evropës, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke qenë se viti 2022 është Viti Evropian i Rinisë, aktivitetet e Ditës së Evropës janë fokusuar tek të rinjtë, energjia e gjelbër dhe digjitalizimi.
Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog dhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, janë bërë sot pjesë e një shëtitjeje me biçikleta dhe trotinete elektrike nëpër rrugët kryesore të Prishtinës.
Ambasadori Szunyog tha se kjo është ditë me rëndësi për BE-në ashtu sikurse edhe për Kosovën dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor për shkak se e ardhmja e rajonit është në BE.
“Po punojmë për ta afruar Kosovën sa më shumë me standardet dhe normat evropiane. Normalisht ne do të dëshironim të prezantonim Bashkimin Evropian si etnitet politik por ai është edhe një etnitet që punon për një të ardhme të qëndrueshme. Marrëveshja e Gjelbër është pjesë shumë e rëndësishme e BE-së dhe dëshirojmë që Kosova të afrohet me të për gjeneratat e ardhshme, për ta bërë Kosovën një vend më të qëndrueshëm dhe të gjelbër”, theksoi ambasadori.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se edhe pse Kosova ende nuk është pjesë e Evropës, mënyra e jetesës dhe e funksionimit në vend tregon afërsinë dhe ngjashmëritë e vendit me Evropën.
Rama tha se edhe sfidat dhe programet e vendit janë të ndërlidhura me vizionin e Evropës për vitin 2030.
“Përkundër faktit që vetëm 27 për qind të qytetarëve e përdorin veturën, 73 për qind vuajnë prej saj, mënyra se si është densiteti i shpërndarë në kryeqytetin tonë tregon qartë se ne mundemi shumë lehtë dhe shpejtë ta transformojmë Prishtinën në qytet me prioritet për këmbësorët”, theksoi Rama.
Ai tha se qyteti duhet çliruar nga veturat por edhe në mënyrën se si mendojnë qytetarët mbi hapësirën publike.
Szunyog gjatë ditës do të vizitojë edhe mini-ekspozitën “E Ardhmja e Gjelbër” në Shtëpinë e Evropës në mesditë dhe do të marrë pjesë në koncertin hapës të Ditës së Evropës dhe Chopin PianoFest që do të mbahet në Institutin e Historisë “Ali Hadri”.
Në mbrëmje Zyra e BE-së në Kosovë do të organizojë pritjen për nder të kësaj dite si dhe ceremoninë e ndarjes së çmimit Evropiani i Vitit në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.
Për nder të Ditës së Evropës institucionet shtetërore të Kosovës nuk punojnë dhe kjo ditë shënohet edhe si festë zyrtare.