BALLKANI

Kosovë, vazhdon zjarri aktiv në një pjesë të Parkut Kombëtar "Prevalla"

Edhe pse të dielën u ngrit një shtab emergjent për menaxhimin dhe shuarjen e zjarreve, zjarri nuk arriti të shuhej dhe po vazhdon ende, por në masë më të menaxhueshme, sipas autoriteteve lokale

Agim Sulaj  | 13.08.2024 - Përdıtësım : 13.08.2024
Kosovë, vazhdon zjarri aktiv në një pjesë të Parkut Kombëtar "Prevalla" Foto: Arkiv / AA

Prizren

Një pjesë e Parkut Kombëtar "Prevalla" që është pjesë e Bjeshkëve të Sharrit në jug të Kosovës dhe rreth 30 kilometra larg nga qyteti i Prizrenit, është kapluar nga zjarret prej disa ditësh, raporton Anadolu.

Një tym i madh qëndron mbi njërën nga kodrat që rrethojnë zonën e pushuesve në këtë park.

Edhe pse të dielën, më 11 gusht, u ngrit një shtab emergjent për menaxhimin dhe shuarjen e zjarreve, zjarri nuk arriti të shuhej dhe po vazhdon ende, por në masë më të menaxhueshme, sipas autoriteteve lokale.

Pjesë e shtabit emergjent përpos zjarrfikësve prizrenas, pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, motoristëve dhe qytetarëve vullnetarë, në shuarjen e zjarrit po ndihmon edhe Misioni i NATO-s në Kosovë (KFOR), me qëllim që zjarri të mos arrijë në afërsi të shtëpive të banimit në këtë zonë turistike.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, tha se mëngjesin e sotëm zhvilloi takim me shtabin emergjent të krijuar për gjendjen aktuale me zjarret e hapura në Prevallë, dhe deklaroi se situata aktualisht është nën kontroll.

"U njoftova se situata është nën kontroll, nuk janë duke u djegur drunjtë e lartë, prandaj, rrjedhimisht rreziku është më i vogël. Gjithsesi, me ekipin tim vizituam sot këtë zonë për ta parë nga afër gjendjen e krijuar. Meqenëse kemi të bëjmë me Park Nacional, nënkuptohet se edhe institucionet e nivelit kombëtar, por edhe ndërkombëtar si KFOR-i, kanë obligime dhe shtabi është në koordinim të plotë me të gjithë aktorët e autorizuar që po merren me këtë çështje, derisa gjendja po monitorohet dhe nuk pritet eskalim", shkroi Totaj.

Ai tha se sot planifikohet intervenimi dhe lokalizimi i zjarrit për ta pasur nën kontroll dhe për t’i minimizuar pasojat eventuale.

Parku Kombëtar "Prevalla" është një park në Bjeshkët e Sharrit në rrugën nga Shterpce në Prizren në një lartësi prej 1.515 metra lartësi mbi nivelin e detit. Ai është i njohur për natyrën e bukur, burimet e ujit të pijshëm dhe ajrin e pastër për shkak të të cilit mjekët shumë shpesh e rekomandojnë qëndrimin në këtë zonë për të sëmurët me probleme të ndryshme.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.