Kosovë, votojnë liderët opozitarë
“Ashtu siç zhvilluam një fushatë pozitive, të fokusuar tek e ardhmja, jam i bindur se edhe vota e qytetarëve do të reflektojë të njëjtin vizion”, theksoi Krasniqi

Prishtinë
PRISHTINË (AA) – Krerët e partive politike opozitare në Kosovë shfrytëzuan të drejtën e votës në zgjedhjet parlamentare, raporton Anadolu.
Kreu i partisë më të madhe opozitare në vend, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, votoi në Prishtinë me bashkëshorten e tij, derisa tha se dita e zgjedhjeve është ditë e madhe për vendin dhe demokracinë.
“Besoj se çdo qytetar duhet ta shfrytëzojë këtë të drejtë dhe të vendosë për drejtimin e vendit në katër vitet e ardhshme. Ashtu siç zhvilluam një fushatë pozitive, të fokusuar tek e ardhmja, jam i bindur se edhe vota e qytetarëve do të reflektojë të njëjtin vizion”, theksoi Krasniqi.
Edhe kandidati i kësaj partie, Bedri Hamza, i cili vjen nga qyteti i Mitrovicës dhe njëherësh është kryetar i Komunës së Mitrovicës, e shfrytëzoi të drejtën e votës në qytetin e tij, duke votuar bashkë me familjen.
“I inkurajoj të gjithë që ta bëjnë të njëjtën gjë. Unë votova për të siguruar që vlerat, vizioni dhe prioritetet tona ta formësojnë të ardhmen e shtetit tonë”, shkroi Hamza.
Kreu i partisë së dytë më të madhe në vend, Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, i cili votoi në shkollën fillore “Faik Konica” në Prishtinë, tha se zgjedhjet janë festë e demokracisë.
“Në këtë ditë të bukur dimri, le të ushtrojmë demokracinë si vlerë, si besim, si fundament të Republikës tonë të re. Zoti e bekoftë Kosovën. Zoti e bekoftë popullin tonë”, theksoi Abdixhiku.
Gjithashtu edhe kandidati për kryeministër i koalicionit Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma, Ramush Haradinaj, votoi në Prishtinë me familjen e tij.
Ai tha se dy fëmijët e tij, Gjini dhe Hana, votojnë për herë të parë në këto zgjedhje, ndërsa nëna e tij voton në vendlindjen e tij, në Gllogjan të Komunës së Deçanit.
“Votoni edhe ju. Kosova ka nevojë për votën tuaj sot. Mos e humbni – votoni”, shkroi Haradinaj.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.