Kryediplomati i Shqipërisë në Kiev për takimin "Ukraina – Evropa Juglindore"
Shqipëria, si mbështetëse e fuqishme e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, do të theksojë angazhimin e saj për paqe, stabilitet dhe zhvillim të qëndrueshëm në rajon
Tiranë
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, po zhvillon një vizitë pune në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, në kuadër të takimit të ministrave të Jashtëm në formatin “Ukrainë – Evropa Juglindore”, transmeton Anadolu.
Në një njoftim nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme thuhet se takimi ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit politik ndërmjet Ukrainës dhe shteteve të Evropës Juglindore, me fokus në zhvillimet aktuale politike, ekonomike dhe të sigurisë në rajon.
"Ky takim është një ngjarje me rëndësi të veçantë për forcimin e marrëdhënieve politike, ekonomike dhe të sigurisë midis Ukrainës dhe shteteve të Evropës Juglindore dhe do të shërbejë si platformë për diskutime të thelluara mbi zhvillimet aktuale në rajon, si dhe për mundësitë e bashkëpunimit dhe mbështetjes reciproke në një periudhë sfiduese për Ukrainën dhe rajonin në përgjithësi", thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, ministrat e Jashtëm të vendeve të Evropës Juglindore shprehën "dënimin e hapur të agresionit ushtarak të Rusisë në Ukrainë" dhe mbështetjen e plotë për sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Ukrainë brenda kufijve të njohura ndërkombëtarisht.
"Shqipëria, si mbështetëse e fuqishme e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, do të theksojë angazhimin e saj për paqe, stabilitet dhe zhvillim të qëndrueshëm në rajon", theksohet ndër të tjera në njoftim.
Pjesë e takimit ishin edhe zyrtarë të tjerë të ministrive të Jashtme nga Türkiye dhe vendet e rajonit.
Në kuadër të vizitës, ministri Hasani përveç me homologun e tij ukrainas, Andrii Sybiha, to të ketë takime të veçanta edhe me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy dhe zyrtarë të tjerë të Ukrainës.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.