BALLKANI

Kryeministri aktual Albin Kurti shpall fitoren në zgjedhjet parlamentare 2025

"Ne jemi subjekti fitues që do të formojë qeverinë e ardhshme. Të gjithë e kanë të qartë se ata që dolën të dytët e të tretët po të mblidhen bashkë, nuk bëjnë sa ne", tha Albin Kurti

Agim Sulaj  | 10.02.2025 - Përdıtësım : 10.02.2025
Kryeministri aktual Albin Kurti shpall fitoren në zgjedhjet parlamentare 2025 Foto: Arkiv / AA

Prishtinë

Kryeministri i Kosovës, njëherësh kandidat edhe për një mandat në këtë pozitë nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se është fitues i zgjedhjeve të përgjithshme të 9 shkurtit dhe do të vazhdojë me mandatin e tretë, raporton Anadolu.

Në një deklarim nga selia e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Kurti tha se mandatin Kurti 3 do të vazhdojë të qeverisë me partitë "Guxo" dhe "Alternativa".

"Jemi të parët e ky është konfirmim për një qeverisje të mirë, të mbarë dhe demokratike. Koalicioni ynë do ta formojë qeverisjen tonë 3. Do t’i vazhdoj punët...Populli fitoi, fitoi Vetëvendosje. Ne jemi subjekti fitues që do të formojë qeverinë e ardhshme. Të gjithë e kanë të qartë se ata që dolën të dytët e të tretët po të mblidhen bashkë, nuk bëjnë sa ne", ka thënë Kurti.


- KQZ: Të dhënat nga formularët e vendvotimeve do të futen në mënyrë manuale në kompjuter

Ndërkohë në të njëjtën kohë ka mbajtur konferencë për media edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se numërimi i votave po vazhdon dhe për shkak të problemeve teknike që ka ky institucion me faqen elektronike, po vazhdojnë të barten të dhënat në faqen elektronike manualisht.

"Ju njoftoj qe stafi KQZ-së dhe ne vet anëtarët e KQZ-së do të jemi sonte gjithë natën në objekt dhe do të punohet që të gjitha të dhënat nga formularët e vendvotimeve të futen në mënyrë manuale në kompjuter", theksoi Radoniqi.

Radoniqi tha se rezultatet përfundimtare të votimit të sotëm të qytetarëve mund të vonohen deri në orën 4 të mëngjesit, atëherë kur do të jetë shumë vonë për të mbajtur edhe një konferencë të radhës për media.


- Lëvizja Vetëvendosja vazhdon të kryesojë me 41,99 për qind të votave

Sipas të dhënave të fundit të KQZ-së të publikuara në ueb-faqen zyrtare, nga 73,04 për qind e votave të numëruara, Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të jetë partia e parë me 41,99 për qind të votave.

Pas saj, subjekti i dytë më i madh është Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 22,68 për qind.

Në vendin e tretë është Lidhja Demokratike e Kosovës me 17,90 për qind.

Koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma ka marrë 7,56 për qind, ndërsa partia Lista Serbe ka marrë 2,98 për qind.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.