BALLKANI

Kryeministri Kurti ndërlidh sulmin në veri me sulmet ruse në Ukrainë

Kurti tha se një ditë para sulmit në Varagë të Zubin Potokut, forcat ushtarake ruse me 188 projektile raketash dhe dronësh sulmuan infrastrukturën kritike të energjisë në Ukrainë

Agim Sulaj  | 02.12.2024 - Përdıtësım : 02.12.2024
Kryeministri Kurti ndërlidh sulmin në veri me sulmet ruse në Ukrainë Foto: Zyra e Kryeministrit të Kosovës/AA

Prishtinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se "sulmi terrorist" në Zubin Potok në kanalin e Ibër-Lepencit si në kontekstin kohor ashtu edhe në atë të natyrës së aktit “duket që ka ndërlidhje me sulmet masive ajrore të federatës ruse kundër Ukrainës, sulme këto që ishin të orientuara pikërisht kundër infrastrukturës energjetike në Ukrainë”, transmeton Anadolu.

Në një konferencë për media në Qeverinë e Kosovës, Kurti tha se një ditë para sulmit në Varagë të Zubin Potokut, forcat ushtarake ruse me 188 projektile raketash dhe dronësh sulmuan infrastrukturën kritike të energjisë në Ukrainë, duke lënë rreth 1 milion amvisëri pa energji elektrike në prag të stinës së dimrit.

“Qëllimi është që popullsia të vihet përfundi kushteve jetike minimumit të ekzistencës dhe në këtë mënyrë të dëmtohet shëndeti, jeta dhe siguria e qytetarëve”, tha Kurti.

Ai tha se në të njëjtën kohë ka pasur sulm në ndërtesën e Komunës në Zveçan dhe sulme në Ukrainë.

“Në Zveçan dy ditë para kësaj kishim sulmin kundër stacionit policor dhe tash së fundmi infrastruktura kritike edhe në veriun e Kosovës sikurse në Ukrainë”, theksoi Kurti.

Ai tha se për ta bërë edhe me të dukshme këtë ndërlidhje është edhe fakti që gjatë kontrolleve të zhvilluara nga Policia e Kosovës në lokacione të ndryshme pas sulmit terrorist, përveç armëve dhe pajisjeve të shumta ushtarake, u gjetën dhjetëra emblema të njësive ushtarake ruse.

“Këto emblema u përkasin kryesisht njësive të specializuar për kryerjen e operacioneve të veçanta ushtarake, siç është rasti i emblemave të Forcës Desante Parashutiste të Forcave të Armatosura të Rusisë, e përveç emblemave ushtarake, gjatë kontrolleve të djeshme u gjetën edhe flamuj krahu perandorak rus, flamur ky i përdorur nga Rusia cariste e shekujve XVIII dhe XIX, pra atëherë kur merr hov të madh historik imperializmi rus”, theksoi Kurti.

Kurti tha se Serbia po i kopjon metodat ruse për të kërcënuar Kosovën dhe rajonin në përgjithësi, megjithëse është e destinuar të dështojë, pasi Kosova mbështetet në vlerat demokratike perëndimore.

Kryeministri kosovar përmendi edhe Milan Radoiçiqin, i cili ka marrë përsipër organizimin e sulmit të 24 shtatorit të vitit 2023 në Kosovë.

“Liria e Millan Radoiçiq në Serbi, përveç se përbën një mbrojtje të hapur të një terroristi nga autoritetet serbe, është gjithashtu një inkurajim për të tjerët për të kryer akte terroriste dhe kriminale në Kosovë. Ky qëndrim përçon një mesazh të qartë se veprime të tilla jo vetëm që atje tolerohen, por edhe mbështeten nga shteti serb”, theksoi ai.

Mbrëmjen e 29 nëntorit në fshatin Varagë të Zubin Potokut ndodhi një shpërthim i fuqishëm me dëme të shkaktuara në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, ku sipas institucioneve kosovare të sigurisë shpërthimi i orkestruar nga Serbia pati qëllim dëmtimin e infrastrukturës kritike të Kosovës.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE), Joseph Borrell, e ka quajtur sulm terrorist shpërthimin në kanalin ujor të Ibër-Lepencit, derisa këtë sulm e dënuan shumë vende të BE-së, si dhe Türkiye.

Lidhur me rastin, deri më tani, siç kanë bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, janë arrestuar dhe shoqëruar në stacione policore nëntë persona. Gjithashtu gjatë bastisjeve policore pas këtij rasti në veri u gjetën një numër i konsiderueshëm i armëve, pajisjeve ushtarake dhe pajisjeve të tjera.

Në shumicën e zonave të prekura nga sulmi terrorist në Ibër-Lepencit në veriun e Kosovës është kthyer në normalitet furnizimi me ujë sipas ministres së Ekonomisë së Kosovës, Artane Rizvanolli.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın