BALLKANI

Kryeministri Kurti priti në takim ambasadorët e akredituar në Kosovë

"Indikacionet tregojnë se sulmi është kryer nga grupe e persona profesionistë e të mbështetur e dirigjuar nga Serbia", tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Agim Sulaj  | 02.12.2024 - Përdıtësım : 02.12.2024
Kryeministri Kurti priti në takim ambasadorët e akredituar në Kosovë Foto: Zyra e Kryeministrit të Kosovës

Prishtinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zv/kryeministrin e Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, ka ftuar dhe pritur në takim ambasadorët, të ngarkuarit me punë, shefat e misioneve diplomatike dhe zv/ambasadorët e akredituar në Kosovë për t'i informuar dhe diskutuar mbi sulmin e 29 nëntorit në Varagë të Zubin Potokut, në infrastrukturë kritike, në kanalin kryesor të Ibër-Lepencit, transmeton Anadolu.

Siç njofton Zyra e Kryeministrit, gjatë takimit, Kurti tha se qëllimi i këtij sulmi ka qenë dëmtimi i prodhimit të energjisë elektrike dhe furnizimit me ujë në pjesën më të madhe të vendit, duke qenë sulmi i tretë në 72 orë kundër Republikës së Kosovës, pas atyre të 26 dhe 28 nëntorit në stacionin policor në Zveçan dhe në afërsi të objektit të kësaj komune.

Kurti tha se një sulm i tillë i ngjashëm ndaj infrastrukturës kritike është parë pak ditë më parë edhe kundër infrastrukturës kritike të Ukrainës, e cila u sulmua nga raketat ruse. Ai shtoi se indikacionet tregojnë se sulmi është kryer nga grupe e persona profesionistë e të mbështetur e dirigjuar nga Serbia.

Ai i informoi diplomatët e pranishëm se policia po i zhvillon hetimet, gjersa tashmë ka të arrestuar të dyshuar të ndërlidhur me sulmin e përgjegjës për ekzekutimin e tij si dhe dëshmi e prova materiale, ndër to edhe armë, eksplozivë e uniforma dhe emblema të njësive ushtarake ruse. Kurti nënvizoi se kriminelët e terroristët do të përballen me drejtësinë, me fuqinë e ligjit të drejtë të Republikës demokratike e të pavarur të Kosovës.

Më tej, kryeministri kosovar foli edhe për rëndësinë e ekstradimit dhe arrestimit të kryekriminelit dhe kryeterroristit Millan Radoiçiq i cili vazhdon të jetë i lirë në Serbi, duke organizuar e planifikuar me mbështetjen edhe të Beogradit zyrtar dhe presidentit Aleksandar Vuçiq, sulme në vazhdimësi ndaj Kosovës.

"Serbia vazhdon të mbështesë grupet terroriste me armë, financa dhe logjistikë, që solli që pas sulmit në Banjskë të pasojnë edhe sulme të tjera, përfshirë edhe aktin e fundit terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit", tha Kurti në këtë takim.

Ai shprehu dhe falënderimin e tij për të gjithë partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen e tyre ndaj Republikës së Kosovës.

Mbrëmjen e 29 nëntorit në fshatin Varagë të Zubin Potokut ndodhi një shpërthim i fuqishëm me dëme të shkaktuara në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, ku sipas institucioneve kosovare të sigurisë shpërthimi ka pasur për qëllim dëmtimin e infrastrukturës kritike të Kosovës në mënyrë që të pengohet rrjedha e ujit që përdoret për ftohje në procesin e prodhimit të rrymës në termocentralet "Kosova A" dhe "Kosova B".

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Joseph Borrel e ka quajtur sulm terrorist shpërthimin në kanalin ujor të Ibër-Lepencit, derisa këtë sulm e dënuan shumë vende të Bashkimit Evropian dhe Türkiye.

Lidhur me rastin, deri më tani, siç kanë bërë të ditur ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla dhe drejtori i Policisë, janë arrestuar dhe shoqëruar në stacione policore nëntë persona. Gjatë bastisjeve policore pas këtij rasti në veri, u gjetën një numër i konsiderueshëm i armëve, pajisjeve ushtarake e pajisjeve të tjera.

Në shumicën e zonave të prekura nga sulmi terrorist në Ibër-Lepencit në veriun e Kosovës është kthyer në normalitet furnizimi me ujë sipas ministres së Ekonomisë së Kosovës, Artane Rizvanolli.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın