BALLKANI

Kryeministri Kurti zhvilloi takime të ndryshme bilaterale në SHBA

Kurti bisedoi me senatorin Murphy edhe për situatën e sigurisë në rajon, ku përmendi edhe çështjen e sulmit të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit

Agim Sulaj  | 21.08.2024 - Përdıtësım : 21.08.2024
Kryeministri Kurti zhvilloi takime të ndryshme bilaterale në SHBA Foto: Zyra e Kryeministrit të Kosovës

Prishtinë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar takime të ndryshme bilaterale në kuadër të Konventës Kombëtare Demokratike në Çikago të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), transmeton Anadolu.

Kurti gjatë qëndrimit në SHBA mori pjesë në hapjen e Konventës Kombëtare Demokratike, ku para fillimit të saj takoi ish-Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Lord George Robertson, ish-Ministren e Punëve të Jashtme të Suedisë, Ann Linde, dhe presidenten e Institutit Kombëtar të Demokracisë (NDI), Tamara Wittes, ndër të tjerë.

Gjatë punimeve të Konventës Kombëtare Demokratike të natës së parë, folës kryesor ishin edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ish-Sekretarja e Shtetit dhe ish-kandidatja e Partisë Demokrate për presidente, Hillary Clinton, si dhe kongresistja e New Yorkut, Alexandria Ocasio-Cortez.

Gjithashtu, Kurti mori pjesë si folës edhe në një panel diskutimi me titull “Konventa Kombëtare Demokratike dhe Roli i Partive Politike" organizuar nga NDI, si pjesë e Forumit Ndërkombëtar të Liderëve 2024. Para fillimit të diskutimit, kryeministri Kurti u takua dhe bashkëbisedoi me kryetarin e Komitetit Kombëtar Demokrat, Jaime Harrison, në prani edhe të presidentes së NDI-së, Tamara Wittes, dhe kryetarit të Bordit Drejtues të NDI-së, Tom Daschle.

Pjesë e panelit bashkë me kryeministrin Kurti ishte dhe ish-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Lord George Robertson, dhe ministri i Jashtëm i Danimarkës dhe ish-kryeministri, Lars Løkke Rasmussen.

Në margjina të Konventës Kombëtare Demokratike, kryeministri kosovar gjithashtu takoi edhe senatorin amerikan Chris Murphy, ku i shprehu interesimin e tij për rritjen e bashkëpunimit e shkëmbimit tregtar dhe ekonomik me aleatët e partnerët amerikanë.

Kurti bisedoi me senatorin Murphy edhe për situatën e sigurisë në rajon, ku përmendi edhe çështjen e sulmit të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit.

“Tash kur po bëhen 11 muaj të vrasjes së rreshterit tonë policor Afrim Bunjaku në Banjskë të Zveçanit, është koha e fundit që kryekrimineli Millan Radojçiq t’i dorëzohet autoriteteve të drejtësisë së Kosovës dhe për këtë kryeministri Kurti kërkoi që ShBA-ja të bëjë trysni mbi Beogradin zyrtar”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Në kuadër të vizitës në SHBA, kryeministri Kurti po ashtu ka takuar edhe komunitetin shqiptar dhe mërgatën kosovare në Çikago.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın