Politikë, BALLKANI

Kryeministri Rama prezanton programin e qeverisë së re

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka prezantuar programin e qeverisë së re për mandatin e tretë qeverisës gjatë seancës parlamentare, duke u fokusuar në disa sektorë

Fatjon Cuka  | 16.09.2021 - Përdıtësım : 17.09.2021
Kryeministri Rama prezanton programin e qeverisë së re ( Olsi Shehu - Anadolu Agency )

Tiranë

Gjatë seancës së sotme të Kuvendit të Shqipërisë, kryeministri Edi Rama, ka prezantuar programin e qeverisë së re, për mandatin e tretë qeverisës, duke u fokusuar në disa sektorë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në fillim të fjalës së tij, Rama tha se qeveria e re do të hyjë në histori si qeveria me përbërjen më të lartë të grave jo vetëm në Shqipëri.

Në lidhje me vazhdimin e luftës kundër pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), kryeministri Rama theksoi se nuk ndryshon plani i vaksinimit masiv, sipas tij, falë sigurimit të vazhdueshëm në kohë të dozave të nevojshme të vaksinave.

Rama tha se shumica qeverisë do vazhdojë të punojë ngushtësisht, sipas tij, me aleatët strategjikë të Shqipërisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, “duke e mbështetur pa asnjë rezervë dhe në çdo hap reformën në drejtësi”.

“Prandaj, mbështetja jonë për organet e reja të drejtësisë, për trupat e komisioneve të Vetting-ut, për prokurorët dhe gjykatësit e dalë me duart e pastra nga Vetting-u do jetë e palëkundur. Do jemi në gatishmëri të plotë institucionalisht dhe financiarisht për çdo gjë që do nevojitet nga ana jonë këtu në Kuvend për zbatimin e kësaj reforme thelbësore shtet-ndërtuese, si dhe për motivimin moral dhe profesional të protagonistëve të drejtësisë së re", tha Rama, duke iu referuar reformës në drejtësi.

Sipas tij, shkolla, universiteti, kultura, sporti për të gjithë do të jenë në këtë mandat të ri qeverisës një drejtim ku do të investojmë energji dhe ide të reja për të krijuar më shumë kushte.

Kryeministri Rama theksoi se do të mbështesin me të gjitha forcat rritjen e mëtejshme të kapacitetit digjital të Shqipërisë, sipas tij, për të mbyllur ciklin e shërbimeve me dokumente për qytetarët e sipërmarrjen.

Rama tha se shumica qeverisë përgjatë këtij mandati do të rrisë pagat e edukatorëve, të mësuseve, të mjekëve dhe të infermierëve me 40 për qind dhe do të rrisë pagat e administratës publike me 30 për qind.

"Investimet në turizëm do të hyjnë realisht në një fazë historike për nga shumëfishimi gjatë kësaj dekade, duke filluar me kantieret e mëdha, katër portet turistike, në Sarandë ku ka filluar puna, në Vlorë ku puna nis së shpejti, në Durrës ku puna nis së shpejti dhe në Shëngjin. Dy aeroportet e reja ndërkombëtare, në Vlorë ku besoj brenda vitit do të ngrihet më në fund kantieri dhe në Sarandë ku për pak mbyllet gara ndërkombëtare", tha Rama.

Programi politik dhe përbërja e qeverisë së re do të votohen në Kuvendin e Shqipërisë dhe para fillimit të detyrës, kryeministri, zëvendëskryeministri dhe ministrat betohen para presidentit Ilir Meta.

Kujtojmë se legjislatura e re e Kuvendit të Shqipërisë e dalë nga zgjedhjet e 25 prillit të këtij viti, filloi punimet më 10 shtator me seancën e konstituimit dhe me zgjedhjen e kryetares së re të Kuvendit, Lindita Nikolla.

Fituese e zgjedhjeve të 25 prillit rezultoi Partia Socialiste e Shqipërisë, e drejtuar nga kryeministri Rama, e cila ka siguruar mandatin e tretë qeverisës, duke fituar 74 mandate nga 140 deputetë që ka Kuvendi i Shqipërisë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.