Fatjon Cuka
26 Qershor 2023•Përditësim: 26 Qershor 2023
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka realizuar një vizitë në Bruksel, ndërkohë është takuar me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, transmeton Anadolu.
Kryeministri Rama ka publikuar në rrjetet sociale fotot e takimit me Michel, ndërkohë që vizita e tij ka në fokus tensionet e fundit në veri të Kosovës dhe përplasjet rreth marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Në një reagim në rrjetet sociale para takimit, Rama shkruan se kreut të KE-së do t’i përcjellë shqetësimet e mëdha për situatën kritike në rajon dhe bindjen mbi domosdoshmërinë e një konference pa afat kohor, ku sipas tij liderët e Kosovës dhe Serbisë duhet të përmbyllin krejt pikat e marrëveshjes së normalizimit.
Në lidhje me lirimin nga Serbia të tre policëve të Kosovës, Rama shkruan: "Kthimi i policëve të Kosovës në shtëpi është një lajm i vonuar, po gjithsesi shumë i mirë, sepse e para, i jep fund heqjes arbitrare të lirisë së tre njerëzve që s’kanë kryer asnjë krim dhe e dyta, rihap rrugën e de-eskalimit e të dialogut. Më vjen mirë që forca e arsyes fitoi mbi arsyen e forcës. Uroj që me forcën e arsyes të nisë menjëherë de-eskalimi i shumëpritur nga të gjithë dhe të zgjidhim më tej edhe nyjet e procesit të normalizimit përfundimtar mes Kosovës e Serbisë", shkruan Rama.
"Fatkeqësisht, së fundmi të dyja palët i kanë sytë tek fronti i politikës së brendshme dhe tek sondazhet e përflakura nga retorika nacionaliste. Ndërsa dialogut jetik për të ardhmen e krejt rajonit dhe marrëdhënieve me botën demokratike u kanë kthyer kurrizin. Ndërkohë situata në veri degradon me orë e me minuta, duke rritur edhe mundësinë e largqoftë një ‘Donbasi ballkanik’ mu në zemër të Evropës. Kjo mundësi edhe vetëm ta mendosh është katastrofike, prandaj duhet eliminuar me çdo kusht", shkruan Rama, duke iu referuar edhe tensioneve në veri të Kosovës.
Rama thekson më tej se "Miopia strategjike në qasjen ndaj dialogut, zvarritja e planit të shkëlqyer franko-gjerman, devijimi i fokusit tek demonstrimet e forcës dhe si rrjedhojë, degradimi i situatës në veri, mund t’i kushtojnë gjithë këtij rajoni, Serbisë padiskutim, po sidomos Kosovës më shumë se çdokujt tjetër, një kthim i mosozotshëm mbrapa, me pasoja shumëvjeçare".
Kryeministri Rama thekson në reagimin e tij se do të ishte një çmenduri që paqja e brishtë e ndërtuar përgjatë këtyre viteve, sipas tij, në kuadrin e Procesit të Berlinit dhe përmes nismash të ndryshme, "të rrënohet si kështjellë rëre nga rikthimi i dallgës së marrëzisë ballkanike, duke na rihedhur të gjithëve jashtë rrugës së integrimit evropian, në fuçinë e vjetër të barutit në mes të Evropës".
Ndërkohë, kryeministri Rama ka konfirmuar më parë se presidentit francez, Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz, u ka përcjellë një draft të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, propozim i cili shkaktoi reagime në Shqipëri dhe Kosovë.