Politikë, BALLKANI

Kryeparlamentari Konjufca kundër dënimit të shtetasit kosovar në Serbi

Shtetasi i Kosovës Nezir Mehmetaj është dënuar nga Gjykata e Lartë e Serbisë me gjashtë vjet burgim, nën akuza për krime lufte kundër popullatës civile në fshatin Rudicë të Klinës më 1999

Agim Sulaj  | 06.12.2024 - Përdıtësım : 06.12.2024
Kryeparlamentari Konjufca kundër dënimit të shtetasit kosovar në Serbi

Prishtinë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka reaguar kundër dënimit me gjashtë vjet burgim të shtetasit kosovar Nezir Mehmetajt nga gjykata në Serbi, transmeton Anadolu.

Konjufca nëpërmjet një reagimi në rrjetet sociale e ka quajtur dënimin padrejtësi dhe ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare të rrisë presionin ndaj Serbisë “kundër kësaj padrejtësie”.

“E dënoj fuqishëm këtë padrejtësi dhe kërkoj nga bashkësia ndërkombëtare të rrisë presionin ndaj Serbisë, me zë të qartë kundër kësaj padrejtësie dhe në mbështetje të të drejtave të njeriut”, ka shkruar Konjufca.

Kryeparlamentari Konjufca procesin gjyqësor ndaj Neziraj e ka quajtur të shpikur e arbitrar.

“Pas një akuzimi dhe procesi të shpikur e arbitrar ndaj qytetarit tonë Nezir Mehmetaj, gjykata në Serbi e ka dënuar atë me gjashtë vjet burg. Mendësia e vjetër e Serbisë që ka kryer gjenocid në Kosovë nuk mund të prodhojë asgjë të re veçse fshehjes së krimeve në njërën anë dhe shpikjes së tyre në anën tjetër”, ka shkruar Konjufca.

Shtetasi i Kosovës Nezir Mehmetaj është dënuar nga Gjykata e Lartë e Serbisë me gjashtë vjet burgim, nën akuza për krime lufte kundër popullatës civile në fshatin Rudicë të Klinës më 1999. Ekipi i tij mbrojtës ka paralajmëruar se do ta apelojë këtë vendim.

Mehmetaj ishte arrestuar më 3 janar të vitit 2020 në pikëkalimin kufitar në Merdarë dhe që atëherë është mbajtur në paraburgim nga autoritetet serbe. Në këtë rast janë mbajtur disa seanca gjyqësore dhe kanë dhënë dëshmitë e tyre disa dëshmitarë.

Autoritetet e Kosovës vazhdimisht kanë kërkuar lirimin e Mehmetajt dhe të disa qytetarëve të tjerë të Kosovës, që janë arrestuar nga Serbia nën dyshime për krime lufte.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.