Kryeparlamentari turk Kurtulmuş pritet në takim në Shkup nga presidentja Siljanovska-Davkova
Në takim, Kurtulmuş theksoi se mes dy vendeve ka marrëdhënie të lashta dhe historike dhe shprehu kënaqësi që sheh “zhvillimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve”
Shkup
Kryetari i Asamblesë së Madhe Kombëtare të Türkiyes (TBMM), Numan Kurtulmuş, i cili qëndron për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut është pritur në takim në vilën presidenciale në Shkup nga presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, transmeton Anadolu.
Në pritjen nga Siljanovska-Davkova, Kurtulmuş e falënderoi presidenten për mikpritjen e tij dhe delegacionit të tij, të cilët qëndrojnë për vizitë në vend me rastin e shënimit të 11 Dhjetorit, Ditës së Arsimit Turk në Maqedoninë e Veriut.
Kurtulmuş tha se kohës së fundit zyrtarë të nivelit të lartë kanë ardhur nga Türkiye në Maqedoninë e Veriut me rastin e 21 Dhjetorit dhe uroi që pjesëmarrja të mbetet traditë.
Në takim, ai theksoi se mes dy vendeve ka marrëdhënie të lashta dhe historike dhe shprehu kënaqësi që sheh “zhvillimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve”.
Kurtulmuş gjithashtu tha se komuniteti turk në Maqedoninë e Veriut dhe qytetarët në Türkiye me origjinë nga Maqedonia e Veriut përfaqësojnë një urë të rëndësishme midis dy vendeve.
Ai shprehu dëshirën për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe në të gjitha fushat, veçanërisht në industrinë e mbrojtjes, në arsim, ekonomi dhe turizëm, si dhe tha se Türkiye do të vazhdojë të ofrojë mbështetje të fuqishme për zhvillimin e Maqedonisë së Veriut përmes institucioneve të saj kulturore.
“Siguria dhe stabiliteti i vazhdueshëm në Ballkan është dëshira themelore e Türkiyes”, tha Kurtulmuş, duke theksuar se zgjidhja e mosmarrëveshjeve përmes negociatave do të jetë në dobi të të gjithëve dhe se Türkiye ka një qasje të barabartë me të gjitha vendet e Ballkanit.
Kryeparlamentari turk tha se dëshiron që bashkëpunimi i fortë mes qeverive të vazhdojë edhe mes parlamenteve, si dhe shprehu bindje se marrëdhëniet mes dy vendeve do të jenë shumë më të forta në periudhën e ardhshme.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.