BALLKANI

Kurti e quan të padrejtë vendimin e BE-së për liberalizimin e vizave për serbët e Kosovës

"Ne nuk kemi mundësi të mëdha që të ndikojmë tek vendimet e Brukselit", deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Agim Sulaj  | 23.07.2024 - Përdıtësım : 23.07.2024
Kurti e quan të padrejtë vendimin e BE-së për liberalizimin e vizave për serbët e Kosovës Foto: Agim Sulaj / AA

Prishtinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka konsideruar të padrejtë, të dëmshëm dhe dekurajues vendimin e Këshillit të Bashkimit Evropian për heqjen e regjimit të vizave për serbët që jetojnë në Kosovë dhe bartin pasaporta të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese Serbe në Beograd, raporton Anadolu.

Kurti në një deklarim për media nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), aty ku u përuruan renovimet e Klinikës së Kardiokirurgjisë, tha se Kosova nuk mund të ndikojë tek vendimet e Brukselit.

"E konsiderojmë të padrejtë, të dëmshme dhe gjithashtu dekurajuese. Sidoqoftë, shteti Kosovës, Republika e Kosovës e ka forcuar pasaportën e saj si asnjëherë më parë, ndërkaq, ne nuk kemi mundësi të mëdha që të ndikojmë tek vendimet e Brukselit", theksoi Kurti.

Edhe Zyra e Presidentes së Kosovës reagoi pas vendimit të Këshillit të BE-së. Nga Presidenca deklaruan gjatë ditës së djeshme se përfshirja e serbëve me pasaporta të jashtëligjshme të lëshuara në Kosovë dëmton Kosovën dhe karakterin multietnik të saj, por edhe të vetë Bashkimit Evropian.

Sipas Presidencës, ky vendim, i cili do të hyjë në fuqi pas botimit në "Gazetën Zyrtare" të BE-së dhe nga i cili pritet të përfitojnë rreth 18 mijë qytetarë serbë, e saboton procesin e integrimit të komunitetit serb në Kosovë dhe ndikon negativisht në shtrirjen e sundimit të ligjit.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.