BALLKANI

Kurti: Rasti i Faton Hajrizit kërkon hetim vendor dhe ndërkombëtar

"I ftoj qytetarët e vendit tonë të mos bien pre e euforisë së heroizimit dhe romantizimit të Faton Hajrizit. Patriot në Republikën e Kosovës, është rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku", theksoi Kurti

Agim Sulaj  | 24.07.2024 - Përdıtësım : 25.07.2024
Kurti: Rasti i Faton Hajrizit kërkon hetim vendor dhe ndërkombëtar Foto: Agim Sulaj / AA

Prishtinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se rasti i ish-të arratisurit nga burgu në Kosovë, Faton Hajrizi, i cili mbeti i vrarë në territorin e Serbisë, kërkon hetim vendor dhe ndërkombëtar, raporton Anadolu.

Në fjalën e tij hyrëse në fillim të mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, Kurti tha se ditëve të fundit janë dhënë shumë lajme në lidhje me rastin e shtetasit Faton Hajrizi, derisa institucionet kosovare janë përpjekur maksimalisht që në vazhdimësi të transmetojnë informacione zyrtare.

"Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës kanë përcjellur më vëmendje çdo hollësi. Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Punëve të Jashtme janë angazhuar dhe kanë informuar. Megjithëkëtë, sqarimi i rrethanave që nga ikja në drejtim të Serbisë e deri të vrasja e tij e raportuar kërkon një hetim vendor dhe ndërkombëtar", theksoi Kurti.

Kurti tutje ftoi qytetarët e Kosovës që të mos nxitojnë për ta shpallur hero Faton Hajrizin, i cili u arratis nga burgu i Smrekonicës gjatë muajit korrik të këtij viti dhe mbeti i vrarë në Serbi.

"I ftoj qytetarët e vendit tonë të mos bien pre e euforisë së heroizimit dhe romantizimit të Faton Hajrizit. Patriot në Republikën e Kosovës, është rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i vrarë në Banjskë të Zveçanit. Patriotë janë 23 pjesëtarët e Policisë së Kosovës të rënë në krye të detyrës, që dëshmuan përkushtimin për shërbim deri në sakrificë", tha kryeministri.

Ai tha se pikërisht këtë javë, më 26 korrik, për të tretin vit radhazi, shënohet Dita Memoriale e Policëve të Rënë në Kryerje të Detyrës.

Kryeministri Kurti kritikoi Prokurorinë Speciale, duke thënë se edhe pse Milan Radoiçiq i cili mori përsipër organizimin e sulmeve të 24 shtatorit 2023 në Banjska të Zveçanit, ende nuk ka ngritur aktakuzë ndaj tij, por, këso vonesa nuk ka në prokurori kur është në pyetje ministrja kosovare e Drejtësisë.

"Sot janë bërë fiks 10 muaj nga vrasja e Afrim Bunjakut në Banjskë të Zveçanit, në mbrojtje të ligjshmërisë së vendit dhe të integritetit të Republikës. Në Kosovë, nuk është ngritur ende aktakuzë ndaj Millan Radoiçiqit dhe terroristëve të tjerë të grupit të tij paramilitarë nga ana e sistemit tonë të drejtësisë. Në Serbi, Radoiçiqi është i lirë. Prokurorisë sonë nuk i kanë mjaftuar 10 muaj. Por nuk ju deshën më shumë se 10 orë për ta marrë në pyetje ministren tonë të Drejtësisë, zonjën Albulena Haxhiu, për një postim në Facebook", shtoi Kurti.

Ish i burgosuri Faton Hajrizi, i arratisur disa herë nga burgjet në Kosovë, për të fundit herë u arratis nga një burg i tipit të hapur në Kosovë, më 6 korrik 2024. Vetëm pak ditë më vonë u bë i dyshuar për vrasjen e një polici në Loznicë të Serbisë dhe u vra nga autoritetet serbe deri sa ishte në arrati, më 19 korrik.

Trupi i pajetë i Faton Hajrizit, ende nuk i është kthyer familjes së tij në Kosovë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın