Kurti reagon pas takimit të patriarkut Porfirije me presidentin rus Putin
“Ai sugjeroi se qëndrimi i Serbisë ndaj Kosovës, Bosnjë e Hercegovinës dhe Malit të Zi varet nga pozicioni botëror i Rusisë. Kjo nuk është diplomaci fetare, por partneritet strategjik i regjimeve autoritare, që e vendos rajonin në një rrezik serioz”

Prishtinë
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, e ka vlerësuar si "rrezik serioz" për rajonin qëndrimin e patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, në takimin në Moskë me presidentin rus, Vladimir Putin, transmeton Anadolu.
Patriarku Porfirije gjatë javës bëri të ditur se u takua me presidentin Putin në Moskë, ku e falënderoi atë për mbështetjen ndaj Kosovës, Republikës Srpska dhe Malit të Zi, si dhe ka shtuar se “nuk e di çfarë do të ndodhte me Kosovën po të mos ishte mbështetja e Rusisë dhe Kinës".
Duke ndarë një pjesë të transkriptit të kësaj bisede, kryeministri Kurti tha se ky diskutim nuk është diplomaci fetare, por partneritet që e vë në rrezik rajonin.
Kurti tha se kjo ndodhi në prag të vizitës së paralajmëruar të presidentit serb Aleksandar Vuçiq në Moskë, të paraparë për në muajin maj.
“Patriarku bëri thirrje për një riorganizim më të gjerë gjeopolitik nën udhëheqjen ruse duke theksuar se ‘anija e vogël (serbe) që lundron në det të trazuar, duhet të jetë gjithmonë e lidhur me një anije të madhe ruse’. Ai po ashtu sugjeroi se qëndrimi i Serbisë ndaj fqinjëve të saj, Kosovës, Bosnjë e Hercegovinës dhe Malit të Zi, varet nga pozicioni botëror i Rusisë. Kjo nuk është diplomaci fetare, por partneritet strategjik i regjimeve autoritare, që e vendos rajonin në një rrezik serioz”, shkroi Kurti.
Kurti gjithashtu theksoi se Kosova gjithsesi qëndron në parimet dhe aspiratat e saj demokratike duke refuzuar agjendat e drejtuara nga fuqitë autoritare.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.