Kurti: Republika Sërpska i ka privuar për shumë gjatë qytetarët kosovarë dhe ata boshnjakë nga lëvizja e lirë
"Teksa ne po i japim fund pritjes së qytetarëve nga BeH-së, mbetemi me shpresë se BeH-ja do të jetë në gjendje ta ratifikojë marrëveshjen sa më shpejt që të jetë e mundur në mënyrë që i gjithë rajoni të gëzojë lirinë e lëvizjes”, tha Kurti
Prishtinë
Qeveria e Kosovës ka marrë vendim me të cilin shtetasit e Bosnjë dhe Hercegovinës nga 1 janari 2025 të mund të udhëtojnë me letërnjoftim biometrik drejt Kosovës, transmeton Anadolu.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nëpërmjet rrjeteve sociale, bëri të ditur se ky vendim i Qeverisë së Kosovës mbrëmjen e 12 dhjetorit, vjen si zotim nga nënshkrimi i Marrëveshjes për Lëvizjen e Lirë me Letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor, në kuadër të marrëveshjeve të Procesit të Berlinit, gjatë nëntorit të vitit 2022.
Kurti tha se Kosova ishte vendi i parë që e kishte ratifikuar Marrëveshjen për Lëvizjen e Lirë me Letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor, në Kuvendin e Kosovës.
“Bllokada nga entiteti i Republikës Sërpska i ka privuar për shumë gjatë qytetarët e Bosnjë dhe Hercegovinës dhe Republikës së Kosovës nga e drejta e lëvizjes së lirë me letërnjoftime, në kohën kur i gjithë rajoni udhëton lirshëm drejt Bashkimit Evropian. Teksa ne po i japim fund pritjes së qytetarëve nga Bosnjë dhe Hercegovina, mbetemi me shpresë se Bosnjë dhe Hercegovina do të jetë në gjendje ta ratifikojë marrëveshjen sa më shpejt që të jetë e mundur në mënyrë që i gjithë rajoni të gëzojë lirinë e lëvizjes”, shkroi Kurti.
Ai tha se ka besim që ky vendim do të rrisë lidhjet ndërmjet Kosovës dhe Bosnjës, do të shtojë mundësitë për bashkëpunim dhe do të nxisë shkëmbimet në arsim, kulturë, sport, ekonomi dhe fusha të tjera me interes të përbashkët.
Kurti e mbylli mesazhin e tij duke u uruar në gjuhën boshnjake mirëseardhje shtetasve të Bosnjë dhe Hercegovinës në Kosovë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.