Agim Sulaj
14 shkurt 2024•Përditësim: 15 shkurt 2024
PRISHTINË (AA) – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Republika e Kosovës nuk po e rrezikon partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shkak të Rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) e cila e pranon si valutë të vlefshme për operim në treg vetëm euron, transmeton Anadolu.
Në një deklarim nga qyteti i Prizrenit, atje ku u përurura një projekt në Spitalin e Prizrenit, Kurti tha se Kosova nuk ka aleate dhe mike më të rëndësishme se SHBA-ja, pasi është pyetur rreth deklaratave të ndihmëssekretarit të Shtetit, James O’Brien, i cili është shprehur se nuk do ta trajtojnë Qeverinë e Kosovës si partnere nëse nuk trajtohen njëjtë.
Pas kërkesë së O’Brien për tërheqje të rregullores së BQK-së e cila njeh vetëm euron si valutë për operim, Kurti ka thënë se Kosova është republikë demokratike dhe nuk mund t’i mbivendoset institucioneve të pavarura, siç është BQK-ja.
“Republika e Kosovës nuk ka partner, aleat edhe mik të rëndësishëm se SHBA-në. Kështu e konsideroj dhe bashkëpunoj si kryeministër i Kosovës. Banka Qendrore e Kosovës ka prezantuar një plan 10-pikësh për zbatimin e Rregullores së saj. Ne jemi një republikë demokratike. Qeveria nuk u mbivendoset institucioneve të pavarura siç është BQK-ja”, ka thënë Kurti.
Kurti tha se nuk ka masa ndëshkuese për zbatimin e Rregullores së re të BQK-së, pasi duan të ecin përpara pa incidente.
“Në mesin e këtyre 10 pikave si plan pune për zbatimin e Rregullores, BQK-ja nuk ka paraparë asnjë masë ndëshkuese, pra pa ndëshkim dhe pa incidente duam të ecim përpara. Kushtetutshmëria dhe ligjshmëria janë prioritet i yni, por njëkohësisht ne kujdesemi edhe për paqe e siguri, kujdesemi edhe për mirëqenien e qytetarëve serbë”, ka thënë Kurti, duke shtuar se Rregullorja e re e BQK-së nuk shihet si problem për qytetarët serbë, por vetëm për Beogradin zyrtar.
Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien, ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë shumë të shqetësuara me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar përdorimin e dinarit, duke i bërë thirrje ta tërheqin vendimin.
O’Brien ka thënë se me këtë vendim, Qeveria e Kosovës e ka vënë në pikëpyetje partneritetin me SHBA-në.
Nga 1 shkurti 2024 hyri në fuqi Rregullorja e re e BQK-së, e cila e bën euron si valutën e vetme për pagesa në Kosovë, gjë e cila nxiti reagimin e ndërkombëtarëve veçanërisht SHBA-së e cila i ka bërë thirrje Qeverisë për shtyrjen e zbatimit të këtij vendimi.
Qeveria e Kosovës tha se për komunat me shumicë serbe ku ende përdoret dinari, nuk do të ketë menjëherë ndëshkime, por do të konsumohet një fazë tranzitore për “edukim dhe informim” të bizneseve dhe qytetarëve nga komuniteti serb.