Agim Sulaj
02 Shkurt 2023•Përditësim: 03 Shkurt 2023
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe mund të konsiderohet nga pala kosovare, me disa kushte, raporton Anadolu.
Në foltoren para deputetëve të Kuvendit të Kosovës ku po zhvillohet seanca parlamentare, kryeministri kosovar tha se përpos që Asociacioni "duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën", janë edhe pesë kushte të tjera.
Sipas kryeministrit Kurti, kushti i dytë është që Asociacioni nuk mund të jetë një-etnik dhe të bartë asnjë pushtet publik, ndërsa kushti i tretë është se duhet të ketë reciprocitet të të drejtave ku "çfarëdo të drejta për serbët në Kosovë duhet të ketë edhe për shqiptarët në Serbi, me qenë se, siç tha ai, "përgjithësisht ka më shumë shqiptarë në Serbi sesa serbë në Kosovë”.
Kushti i katërt, siç tha Kurti, është që "para vendosjes së çfarëdo Asociacioni, strukturat ilegale të Serbisë duhet të shuhen dhe armët ilegale duhet të dorëzohen".
"Asociacioni mund të jetë pjesë e marrëveshjes finale vetëm pas njohjes reciproke të zbatohet me ç’rast Serbia t’i ketë pranuar parimet e kartës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara në raportet e saj ndërshtetërore me Republikën e Kosovës", tha Kurti duke theksuar si kusht të pestë.
Si pikë të fundit në kuadër të gjashtë kushteve për formimin e Asociacionit, Kurti tha se presidenti serb Aleksandar Vuçiq i ka dërguar pesë shteteve të Bashkimit Evropian (BE) të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, letra me një kërkesë që duhet të tërhiqen.
"Presidenti i Serbisë i ka dërguar pesë shteteve mosnjohëse letër me datën 10 dhjetor ku ju thotë mos e pranoni aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE dhe këto letra duhet të tërhiqen", shtoi Kurti.
Marrëveshja për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është nënshkruar në vitin 2013 në Bruksel nga pala kosovare dhe ajo serbe me ndërmjetësimin e BE-së por nuk është zbatuar deri më tani.
Pala ndërkombëtare, përfshirë përfaqësues nga BE-ja dhe SHBA-ja kanë intensifikuar vizitat në Kosovë dhe kërkesën ndaj krerëve të institucioneve kosovare për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani midis Kosovës dhe Serbisë, përfshirë themelimin e Asociacionit si një nga kushtet për të arritur deri tek një marrëveshje finale Kosovë-Serbi.