BALLKANI

Kuvendi i Kosovës miraton vendimin për dërgimin e kontingjentit të FSK-së në Ishujt Falklands

Qeveria e Kosovës pasi e miratoi vendimin për t’ia propozuar Kuvendit po ashtu për miratim, tha se në këtë mision do të dërgohen deri në shtatë pjesëtarë të FSK-së

Agim Sulaj  | 30.11.2022 - Përdıtësım : 30.11.2022
Kuvendi i Kosovës miraton vendimin për dërgimin e kontingjentit të FSK-së në Ishujt Falklands Foto: AA/arkiv

Prishtinë

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar që një kontingjent i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) të dërgohen në një mision paqeruajtës në Ishujt Falklands, pjesë e Mbretërisë së Bashkuar, raporton Anadolu Agency (AA).

Deputetët i dhanë 77 vota pro dërgimit të kontingjentit të FSK-së në këtë mision të mbështetjes së paqes në ishujt Falklands.

Një ditë më herët, Qeveria e Kosovës, pasi e miratoi vendimin për t’ia propozuar Kuvendit po ashtu për miratim, tha se në këtë mision do të dërgohen deri në shtatë pjesëtarë të FSK-së.

“Ky mision mund të zgjasë deri në tre vjet, me mundësi vazhdimi”, bëri të ditur Qeveria, derisa njoftoi se misioni financiarisht do të mbulohet nga Buxheti i Kosovës, ndërkaq, pjesëtarët e FSK-së do të jenë nën komandën e forcave të armatosura të vendit pritës.

Kosova dhe Mbretëria e Bashkuar në shtator 2022 nënshkruan marrëveshje për bashkë-zbarkimet e forcave të tyre.

Marrëveshje të ngjashme Kosova ka edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA). Një kontingjent i FSK-së kishte marrë pjesë në misionin e parë jashtë vendit më 2021, përkatësisht disa pjesëtarë u dërguan në Kuvajt.

Forca e Sigurisë së Kosovës numëron rreth 3 mijë pjesëtarë të rregullt dhe rreth 1 mijë rezervistë. FSK e ka nisur procesin e transformimit të saj në ushtri në vitin 2018, ndërsa pas këtij procesi, i cili mund të zgjasë deri në 10 vjet, ajo pritet të dyfishojë numrin e forcave të rregullta.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın