BALLKANI

Kuvendi i Kosovës voton në parim projektligjin për rritjen e pagës minimale

Sipas projektligjit të cilin e votuan shumica e deputetëve, paga minimale do të jetë 264 euro

Agim Sulaj  | 14.06.2022 - Përdıtësım : 15.06.2022
Kuvendi i Kosovës voton në parim projektligjin për rritjen e pagës minimale

Prishtinë

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, me 68 vota për, asnjë kundër dhe gjashtë abstenime, kanë votuar në lexim të parë pro rritjes së pagës minimale në Kosovë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas projektligjit të cilin e votuan shumica e deputetëve të Kuvendit të Kosovës paga minimale do të jetë 264 euro, ndërsa aktualisht është 130 dhe 170 euro.

Për punëtorët nën 35 vjeç të cilët pagën minimale e kanë pasur 130 euro, rritje e pagës minimale do të bëhet për 103 për qind, ndërsa për punëtorët deri në 65 vjeç të cilët deri më tash janë paguar minimalisht me 170 euro, rritja e pagës minimale e tyre do të rritet për 55 për qind.

Në Kosovë paga minimale nuk është rritur tash e 11 vite me radhë.

Para votimit të projektligjit, kryetari i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, kërkoi që ky ligj të tërhiqet dhe të kthehet në Qeveri, ndërsa kryeparlamentari Glauk Konjufca konstatoi se projektligji duhet të hidhet në votim sepse “diskutimet për këtë pikë janë konsumuar javën e kaluar”.

Më 6 qershor Kuvendi i Kosovës nuk ka pasur kuorum për vendimmarrje në lidhje me votimin e projektligjit në fjalë, ndërsa në të njëjtën kohë në oborrin e Kuvendit të Kosovës kundër këtij projektligji, i cili i përjashton kategoritë e dala nga lufta nga rritja e pagës minimale, kanë protestuar pjesëtarë të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

Sot Policia e Kosovës është duke qëndruar në gjendje gatishmërie në rast të organizimit të ndonjë proteste nga veteranët e OVL-UÇK-së.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL–UÇK, Faton Klinaku, ka thënë se nëse votohet projektligji për rritjen e pagës minimale pa përfshirjen e tyre, OVL-UÇK do të protestojë.

Për këtë kërkesë të OVL-UÇK-së, ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se neni që e lidh pagën minimale me pensionin e veteranëve është fshirë nga Ligji për pagën minimale qysh në vitin 2017.

Murati ka thënë se 80 milionë euro në vit sillen pagesat për veteranët, ndërsa ka kërkuar që fillimisht të ketë një pastrim të listave të veteranëve, në mënyrë që të trajtohen drejtë ata të cilët “njëmend kanë luftuar”.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.