BALLKANI

Kuvendi i Kosovës mbanë debat mbi cilësinë e ushqimit të ushtarëve të vendit

Në këtë seancë nuk po marrin pjesë deputetët e shumicës parlamentare

Agim Sulaj  | 14.10.2024 - Përdıtësım : 14.10.2024
Kuvendi i Kosovës mbanë debat mbi cilësinë e ushqimit të ushtarëve të vendit Foto: Erkin Keçi / AA

Prishtinë

Kuvendi i Kosovës po mbanë debat lidhur me cilësinë e ushqimit të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), e thirrur nga deputetë të partive opozitare, raporton Anadolu.

Në këtë seancë nuk po marrin pjesë deputetët e shumicës parlamentare, të cilët në një konferencë për media para seancës, thanë se raportimet e opozitës për këtë çështje janë dezinformata dhe se ushtria e Kosovës nuk është dhe nuk do të mbetet pa ushqimin adekuat.

Deputeti i partisë më të madhe opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hisen Berisha, tha se është e papranueshme që institucioni kyç për sigurinë kombëtare të përballet me probleme elementare.

Berisha theksoi se pushteti po e saboton qëllimisht FSK-në, gjë e cila sipas tij, duhet të ndalet.

"Është e papranueshme që institucioni kyç i sigurisë kombëtare të përballet me një menaxhim të tillë të dobët, sidomos kur këto çështje janë procedura të njohura prej kohësh", theksoi Berisha.


- "Nuk është normale të diskutohet tani për logjistikën e ushtrisë"

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Anton Quni, ka vlerësuar se Ministria e Mbrojtjes duhet të sigurojë që proceset e prokurimit për Forcën e Sigurisë së Kosovës duhet të jenë në përputhje me parimet dhe standardeve më të larta të transparencës dhe konkurrencës së drejtë dhe standardeve të NATO-s.

"Prandaj, nga përvojat e vendeve anëtare të NATO-s, ku Kosova aspiron anëtarësimin, është absolutisht e papranueshme që një procedurë kaq e rëndësishme si ajo për ushqimin e ushtrisë tonë, të shpërfaqë shkelje elementare", theksoi Quni.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, tha se gjashtë vjet pasi është bërë ushtria e Kosovës, nuk është normale të diskutohet tani për logjistikën e ushtrisë.

"Nëse para gjashtë vjetësh kemi mbërri të krenohemi në këtë parlament se po e krijojmë ushtrinë tonë, se po i votojmë ligjet për ushtrinë tonë, të cilat nuk dallojnë nga ushtritë e botës, se po e nisim rrugën tonë drejtë NATO-s, të vijmë sot këtu të diskutojmë se na ka lënë pa bukë ushtarët Albin Kurti", theksoi Haradinaj.


- Shqetësim mbi ushqimin e ushtarëve të FSK-së

Javëve të fundit është ngritur shqetësim mbi ushqimin që hanë ushtarët e FSK-së, ku në media dhe rrjete sociale janë publikuar disa fotografi të shujtave me gjykime negative mbi to.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka deklaruar se janë bërë përpjekje për të siguruar furnizimet, me qëllim që shërbimi ushqimor për personelin e FSK-së të ofrohet në mënyrën më të mirë të mundshme.

Ndërkohë, presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar një raport të detajuar nga Komandanti i FSK-së në lidhje me situatën e krijuar ditëve të fundit sa i përket furnizimit me ushqim për pjesëtarët e FSK-së.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın