BALLKANI

Kuvendi i Shqipërisë mblidhet në seancë plenare, rikthehen deputetët e përjashtuar

Pas vendimit të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë që shfuqizoi pjesërisht vendimin e Kuvendit të fillim tetorit për përjashtimin e deputetëve të Partisë Demokratike, përplasjet janë shmangur në seancën e sotme

Fatjon Cuka  | 07.11.2024 - Përdıtësım : 07.11.2024
Kuvendi i Shqipërisë mblidhet në seancë plenare, rikthehen deputetët e përjashtuar Foto: Olsi Shehu / AA

Tiranë

Kuvendi i Shqipërisë është mbledhur në seancë plenare, ndërkohë pjesë ishin edhe deputetët e opozitës që ishin përjashtuar për shkak të tensioneve në seancat e kaluara, raporton Anadolu.

Pas vendimit të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë të datës 6 nëntor që shfuqizoi pjesërisht vendimin e Kuvendit të fillim tetorit për përjashtimin e deputetëve të Partisë Demokratike, përplasjet janë shmangur në seancën e sotme.

Ndërkohë, seanca vazhdoi me debate mes deputetëve të opozitës dhe shumicës parlamentare, në lidhje me vendimin për përjashtimin e deputetëve dhe çështje të tjerë.

Deputetët e opozitës e kanë konsideruar të padrejtë vendimin për përjashtimin e tyre, ndërkohë kanë theksuar se "Qeveria teknike është e vetmja zgjidhje politike për vendin".

Një nga deputetët e opozitës tërhoqi vëmendjen me shpërndarjen e pankartave me mbishkrimin "Stop dënimit politik" jashtë sallës dhe brenda sallës së seancave plenare.

Pjesë e seancës së sotme ishte Projektligji "Për miratimin e buxhetit faktik të vitit 2023" dhe disa vendime për përbërjen e komisioneve parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë.


- Tensionet në seancat e kaluara

Kuvendi i Shqipërisë është përfshirë nga tensionet dhe përplasjet e deputetëve të opozitës nga Partia Demokratike me punonjësit e Gardës së Shqipërisë në seancat e fundit.

Në lidhje me tensionet, nga punimet e parlamentit u përjashtuan 24 deputetë të opozitës, prej tyre 3 me dy muaj, 20 deputetë me 40 ditë dhe një deputet me 10 ditë.

Tensionet nisën për shkak të çështjes mbi dënimin me 1 vit burg të ish-deputetit të Partisë Demokratike, Ervin Salianji.

Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë më 26 shtator 2024 la në fuqi vendimin e dhjetorit 2019 të shkallës së parë për dënimin me 1 vit burg për ish-deputetin Salianji, për veprën penale "kallëzim i rremë".

PD pretendon se vendimi i gjykatës së apelit është i padrejtë dhe politik.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın