Këshilli i Sigurisë konstaton se Serbia po ndërhyn në themelimin e institucioneve të reja në Kosovë
“Me kërcënime e joshje, dhe sidomos me shantazhe, ajo po orvatet që nxis tensione ndëretnike e ndërpartiake në Kosovë dhe ta destabilizojë Kosovën”, thuhet në njoftim

Prishtinë
Këshilli i Sigurisë i Kosovës ka mbajtur të dielën mbledhje me kërkesë të kryeministrit, Albin Kurti, ku është konstatuar se Serbia është duke ndërhyrë në mënyrë që të sabotohet themelimi i institucioneve të reja dhe legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës, transmeton Anadolu.
Në një njoftim për media lëshuar nga Qeveria e Kosovës, u konstatua se kjo po bëhet me kërcënime dhe joshje.
“Në këtë mbledhje u konstatua se përveç ndërhyrjeve të Serbisë në fushatën zgjedhore dhe në zgjedhjet parlamentare në Kosovë të 9 shkurtit 2025, përmes Listës Serbe dhe kryeterroristit Millan Radoiçiq si kryetar ‘de facto’ i saj, Serbia tash po ndërhyn te disa prej deputetëve të komuniteteve joshumicë e joserbë, që ta sabotojë themelimin e institucioneve të reja të legjislaturës së nëntë. Me kërcënime e joshje, dhe sidomos me shantazhe, ajo po orvatet që nxis tensione ndëretnike e ndërpartiake në Kosovë dhe ta destabilizojë Kosovën”, thuhet në njoftim.
Këshilli i Sigurisë vlerëson po ashtu se kjo paraqet ndërhyrje flagrante ndaj sovranitetit shtetëror, funksionimit demokratik dhe integritetit institucional të Kosovës.
“Njëkohësisht, ndaj serbëve të Kosovës, Serbia po ushtron trysni të paparë për pjesëmarrje në tubimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Beograd, e që është paralajmëruar për javën që vjen”, thuhet në njoftim.
Sipas konstatimit nga kjo mbledhje, Vuçiq po synon eksportim të krizës në Kosovë dhe jo vetëm, “teksa vetë ai ndodhet në krizën më të madhe ndonjëherë”.
Kjo mbledhje e thirrur nga Kurti vjen pas gjendjes së përgjithshme të sigurisë me theks “te planet destabilizuese dhe ndërhyrjet kriminale të Serbisë”.
Më 1 prill pas mesnate u sulmua me dy granata dore zyra e Postës së Kosovës në Zveçan, nga të cilat njëra shpërtheu.
Gjithashtu, mbrëmë u arrestuan në Gjakovë katër “pelegrinë” serbë – nga të cilët njëri ishte toger i policisë së Serbisë e tjetri kapiten i ushtrisë së Serbisë.
Me këtë rast, u kërkua që të gjitha institucionet dhe mekanizmat e shtetit ta mbajnë lart vëmendjen dhe gatishmërinë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.