BALLKANI

Liderët e Malit të Zi dhe Bosnje e Hercegovinës mbështesin iniciativën "Ballkani i Hapur"

Në sesionin hapës të samitit "Ballkani i Hapur" fjalime kishin kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç dhe kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, Zoran Tegeltija, të cilët shprehën mbështetje për këtë iniciativë

Abdula Berisha  | 08.06.2022 - Përdıtësım : 09.06.2022
Liderët e Malit të Zi dhe Bosnje e Hercegovinës mbështesin iniciativën "Ballkani i Hapur" Foto: Furkan Abdulla - AA

Ohër

Liderët e Malit të Zi dhe Bosnje e Hercegovinës për herë të parë janë pjesë e një samiti të iniciativës "Ballkani i Hapur" që kësaj radhe po mbahet në Ohër, raporton Anadolu Agency (AA).

Në sesionin hapës të samitit "Ballkani i Hapur" fjalime kishin kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç dhe kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, Zoran Tegeltija, të cilët shprehën mbështetje për këtë iniciativë.

Abazoviç në fjalimin e tij tha se "nuk mund të ndryshojmë të kaluarën, gjithçka që mund të ndryshojmë është e ardhmja".

"Është zgjidhje e jonë a e shohim të ardhmen ashtu siç ka qenë deri më tani e kaluara në Ballkanin Perëndimor, apo e shohim ndryshe. Iniciativën 'Ballkani i Hapur' e shoh si ndihmë në atë që bashkë të krijojmë një të ardhme më të mirë", tha Abazoviç.

Ai gjithashtu shtoi se Qeveria e Malit të Zi do të mbështesë çdo iniciativë që mund të sjell përparim.

Ndërkohë, Tegeltija tha se shpreson që të jetë përfaqësuesi i fundit i vendit të tij që vjen në samit dhe si vëzhgues apo mysafir dhe se në të ardhmen, përfaqësuesit e Bosnje e Hercegovinës do të flasin si anëtarë të iniciativës "Ballkani i Hapur".

"Në Bosnje e Hercegovinë fatkeqësisht nuk ka konsensus rreth projektit 'Ballkani i Hapur'. Nuk ka përgjigje serioze pse, nuk ka as përgjigje negative. thjesht ka një heshtje”, tha Tegeltija.

Ai u shpreh se afaristët dhe qytetarët e Bosnje e Hercegovinës e mbështesin iniciativën "Ballkani i Hapur", duke shpresuar që do të arrihet konsensus politik brenda vendit dhe se Bosnje e Hercegovina, herët apo vonë, do jetë pjesë e iniciativës.

Iniciativa "Ballkani i Hapur" aktualisht mbulon një zonë ekonomike dhe politike midis Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, që synon të nxisë mundësitë e tregtisë për rreth 12 milionë njerëz, si dhe të inkurajojë integrimin e të tre vendeve në Bashkimin Evropian.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.