Liderët e rajonit mesazhe ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Papa Françeskut
Pasi kreu i Kishës Katolike Romake, Papa Françesku ndërroi jetë mëngjesin e sotëm, zyrtarë të shumtë nga rajoni dërguan mesazhe ngushëllimi me mendimin e përbashkët se bota ka humbur një paqebërës të madh

Shkup/Tiranë
Pasi kreu i Kishës Katolike Romake, Papa Françesku ndërroi jetë mëngjesin e sotëm, zyrtarë të shumtë nga rajoni dërguan mesazhe ngushëllimi, raporton Anadolu.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj dhe kryeministri Edi Rama, janë në mesin e atyre që kanë përcjellë mesazhet e tyre pas ndarjes nga jeta të Papa Françeskut.
Sipas njoftimit nga Presidenca e Shqipërisë, në mesazhin e tij të ngushëllimit Begaj ka vlerësuar figurën e Papa Françeskut "si simbol të dashurisë universale, dhembshurisë dhe përkushtimit pa dallim feje apo kombësie".
"Do të ruaj thellë në kujtesën time takimet tona. I bashkohem lutjeve të të gjithë besimtarëve shqiptarë që shpirti i tij të prehet në paqe", thuhet në mesazhin e presidentit Begaj.
Edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar në rrjetet sociale, duke shkruar: "Lamtumirë, At i Shenjtë, mik i madh e i paharrueshëm i Shqipërisë".
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani, në rrjetet sociale ka shkruar se "dashuria jote (e Papa Françeskut) e veçantë për Shqipërinë dhe dhembshuria jote e thellë do të mbeten përgjithmonë në zemrën time".
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha në një mesazh në platformën X se Papa Françesku ishte "një zë i dhembshurisë, përulësisë dhe drejtësisë në kohën tonë".
"Trashëgimia e tij do të jetojë në jetët e panumërta që ai preku. Ne qëndrojmë me të gjithë ata që përcjellin mesazhin e tij të qëndrueshëm të shpresës, paqes dhe dinjitetit njerëzor", tha Osmani.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se "në këtë të hënë të pashkëve, një ditë shprese dhe ripërtëritjeje për të krishterët në mbarë botën, ne vajtojmë vdekjen e shenjtërisë së tij Papa Françeskut".
"Trashëgimia e tij e përulësisë, drejtësisë dhe dhembshurisë do të vazhdojë. Në emër të popullit të Kosovës, shpreh ngushëllimet tona më të thella. U prehtë në paqe", shkroi Kurti në X.
Presidentja e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar tha se "zëri i tij për paqe dhe drejtësi frymëzoi miliona njerëz".
"Fakti që ai ndërroi jetë të hënën e Pashkëve vetëm sa e thellon simbolikën e trashëgimisë së tij – një jetë kushtuar shpresës dhe ripërtëritjes", tha ajo.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha se "me pikëllim të madh mora lajmin për vdekjen e Shenjtërisë së Tij Papa Françeskut. "Bota ka humbur një udhëheqës shpirtëror të jashtëzakonshëm që përhapi dashurinë, paqen dhe solidaritetin përmes veprës së tij apostolike", tha Vuçiq.
"Papa Françesku ishte një lajmëtar i shpresës dhe i pajtimit, gjithmonë në shërbim të më të pambrojturve. Humbja e tij është një pikëllim për të gjithë ne", tha ai.
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq tha se "fryma e tij e paqes, e mençurisë dhe e përkushtimit të thellë ndaj dialogut dhe humanizmit më lanë një përshtypje të fortë".
"Papa Françesku ishte një udhëheqës shpirtëror që frymëzoi zemrat e besimtarëve në mbarë botën. Besimi, përulësia dhe lufta e tij e palodhshme për paqen, drejtësinë dhe dinjitetin e çdo njeriu do të lënë gjurmë të pashlyeshme", tha Milatoviq.
Kujtojmë se sot në moshën 88-vjeçare ndërroi jetë udhëheqësi i Kishës Katolike dhe kreu i Vatikanit, Papa Françesku.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.