Lista Serbe kërkon reagim ndërkombëtar për mbylljen e komunave paralele në Kosovë
“Në letër kemi theksuar qartë rrezikun e veprimeve të tilla që synojnë dëbimin e çdo gjëje serbe nga Kosova”, thuhet në njoftimin e Listës Serbe, e cila u ka dërguar letër ndërkombëtarëve pas mbylljes së institucioneve paralele në Kosovë
Prishtinë
Kryesia e partisë më të madhe të komunitetit serb në Kosovë, Listës Serbe, ka bërë të ditur se u ka dërguar një letër ambasadorëve të vendeve të Quintit, Bashkimit Evropian (BE), OSBE-së dhe shefit të misionit të UNMIK-ut, duke kërkuar reagim urgjent dhe të prekshëm kundër "lëvizjeve të njëanshme të Prishtinës në pengimin e punës së institucioneve serbe në Kosovë", transmeton Anadolu.
“Në bazë të konkluzioneve nga mbledhja e Kryesisë së Listës Serbe dhe në lidhje me lëvizjet e dhunshme, të njëanshme dhe përshkallëzuese të regjimit në Prishtinë, më saktësisht parandalimin e punës së dhjetë organeve të përkohshme, i kemi dërguar një letër ambasadorëve të Quintit, BE-së, OSBE-së dhe shefit të misionit të UNMIK-ut”, thuhet në reagim.
Siç theksuan ata, në letër vihet në dukje "rreziku i veprimeve nga Prishtina dhe kërkohet reagim i menjëhershëm".
“Në letër kemi theksuar qartë rrezikun e veprimeve të tilla që synojnë dëbimin e çdo gjëje serbe nga Kosova, duke rrezikuar mbijetesën e popullit serb, dhe kemi kërkuar reagim të menjëhershëm dhe të prekshëm kundër këtij lloji të veprimit të regjimit të Kurtit, e jo njoftime anemike që askush në Prishtinë nuk i merr seriozisht”, thuhet në njoftim.
Nëpërmjet një deklarimi për media, pas operacionit policor që përfshiu disa rajone dhe komuna në Kosovë ku u mbyllën institucionet paralele serbe, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se kapitulli i institucioneve paralele ilegale serbe është mbyllur.
Autoritetet kosovare bënë të ditur se gjithsej 28 komuna paralele të Serbisë në Kosovë dhe 5 qarqet e tyre u mbyllën përfundimisht me 15 janar.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.