BALLKANI

Lokali 'Gazza' në Prizren, zëri i solidarizimit për popullin palestinez nga Kosova

'Gazza' quhet lokali i vendosur në një prej rrugëve më të vjetra të Prizrenit, aty ku përpos pijeve dhe ushqimeve mund të hasësh në simbole të ndryshme të popullit palestinez, siç është simboli i shalqirit, flamuj palestinez dhe mesazhe solidariteti

Agim Sulaj  | 05.10.2024 - Përdıtësım : 06.10.2024
Lokali 'Gazza' në Prizren, zëri i solidarizimit për popullin palestinez nga Kosova Foto: Eren Beksaç/AA

Prizren

Pak metra katrorë të lokalit me emrin 'Gazza' në qendër të kryeqytetit historik të Kosovës, në Prizren, përçojnë një mesazh që kapërcen kufijtë e vendit dhe thërret në solidarizim dhe mbështetje të një populli që po përjeton luftë, atij të Palestinës, raporton Anadolu.

'Gazza' quhet lokali i vendosur në një prej rrugëve më të vjetra të Prizrenit, të shtruara me kalldrëm, aty ku përpos pijeve dhe ushqimeve të ëmbla mund të hasësh në simbole të ndryshme të popullit palestinez dhe vuajtjes disadekadash të tyre, siç është simboli i shalqirit, flamuj palestinez dhe mesazhe solidariteti.

Pronari i këtij lokali, Halid Jonuzi, i cili tregon se emrin Gazza ia propozoi babai i tij dhe ai pa hezitim e pranoi, thekson se lokali i tij funksionon tashmë 10 vite në të njëjtin lokacion.

“Më shumë diçka (për Palestinën) nuk po mund të bëjë dhe kjo ka qene ideja me e emëruar, me e mbështet dhe për solidarizim, me ua kujtuar njerëzve që është një popull përvuajtur, i karantinuar tash e 70-80 vjet, i cili jeton brenda mureve”, thekson Jonuzi.

Jonuzi thotë se turistët kanë përshtypje dhe komente pozitive për lokalin dhe emrin e lokalit. Ai thotë se në lokal ka pasur edhe turistë nga Kudsi.

“Punojmë me turistë, zakonisht ata më pyesin se nga jam. Dhe, u them se jam nga këtu, por e kam hall popullin e Gazës, i cili po shtypet para syve të botës”, shprehet ai.

Pronari i lokalit 'Gazza' thotë se nga 1 gushti i vitit 2014, kur është hapur biznesi i tij, është emëruar me këtë emër me qëllim të solidarizimit dhe mbështetjes së popullit të përvuajtur palestinez.

“Gazën të gjithë po e shikojmë në televizor dhe askush nuk po merr ndonjë masë dhe kam frikë se ajo flakë e Gazës do të shkojë më shumë dhe do t’i përfshijë të gjithë popujt, vetëm sepse po heshtin. E unë për vete, kaq kisha mundësi të bëjë, thjeshtë po e mbështes këtë popull. Mund ta krahasojmë popullin e Kosovës me popullin Palestinës, kemi qenë të përvuajtur ndër vite, edhe ata janë të përvuajtur prej një sistemi të egër, kriminal. Së paku, ata që janë kundër kauzës së Gazës, le të shikojnë ndonjë video ta shohin se çfarë po u ndodhë atyre. Secili kemi prind, kemi nënë, baba, kemi fëmijë. Çdo njeri human duhet të preket nga ato ngjarje, nuk ka të bëjë asgjë me politikë”, thotë ai.

Fjalëkalimi për përdorimin e internetit në këtë lokal është “freegaza” (Gaza e Lirë), ndërsa Jonuzi thekson se fjalëkalimin e ka shkruar në pjesë të ndryshme të lokalit me synim që mesazhin ta përcjellë tek të gjithë kalimtarët.

Ai shtoi se për dhjetë vjet ëndrra e tij ka qenë që lokali 'Gazza' të bëhet i njohur me mesazhin që përçon dhe tani lufta në këtë pjesë të botës ka bërë që mesazhi i tij të përhapet më shpejtë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.