Mali i Zi, të paktën 4 të vrarë nga të shtënat në Cetinje, policia në kërkim të të dyshuarit
Sipas policisë, gjatë të shtënave në një objekt hotelierie, i dyshuari vrau të paktën katër persona, përfshirë anëtarë të familjes së tij, pas së cilës i armatosur nga objekti u largua në arrati
Cetinje
Të paktën katër persona janë vrarë si pasojë e të shtënave pasditen e sotme në Cetinjë në jug të Malit të Zi, ndërkohë policia konfirmoi se forcat e sigurisë janë në kërkim të të dyshuarit, transmeton Anadolu.
Policia e Malit të Zi ka publikuar një fotografi të të dyshuarit Aca Martinoviqit për vrasjet në Cetinje.
Sipas policisë, gjatë të shtënave në një objekt hotelierie, Martinoviq vrau të paktën katër persona, përfshirë anëtarë të familjes së tij, pas së cilës i armatosur nga objekti u largua në arrati.
“Policia është duke ndërmarrë të gjitha aktivitetet në juridiksionin e saj për lokalizimin dhe vënien nën kontroll të personit dhe të gjitha njësitë organizative të policisë në dispozicion janë në terren, përfshirë edhe Njësinë Speciale të Policisë”, tha policia.
Policia në njoftimin e saj theksoi se personi është i armatosur dhe i rrezikshëm, si dhe apeloi tek qytetarët e Cetinjës që të jenë të qetë, të qëndrojnë në shtëpitë e tyre dhe të mos lejojnë në shtëpitë e tyre persona të panjohur derisa policia të marrë të gjitha masat dhe veprimet për mbrojtjen dhe ndjekjen penale të tyre.
Më herët, Radio Televizioni i Malit të zi raportoi se shtatë persona ishin vrarë, por pa ndonjë konfirmim zyrtar.
Mediat malazeze raportuan se të shtënat pasditen e sotme erdhën pas një zënke fizike në një lokal, pas së cilës sulmuesi ka përdorur një armë zjarri.
“Vrasje të shumta ndodhën pasdite në një restorant në Banjice kur A.M. hapi zjarr ndaj disa personave”, tha më herët departamenti i policisë.
Mediat malazeze raportojnë se kryeministri Milojko Spajiq ka mbërritur në Qendrën Klinike të Malit të Zi ku po shtrohen të plagosurit nga të shtënat në Cetinje. Siç tha ai për RTVCG, katër persona janë lënduar rëndë, ndërsa operacionet janë duke u zhvilluar.
Nga ana tjetër, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka shprehur ngushëllimet e tij për familjet e viktimave dhe qytetarët e Malit të Zi pas masakrës së sotme në Cetinje, ku mbetën të vrarë disa persona. Ai tha se “me pikëllim, mosbesim dhe keqardhje të thellë” mori lajmin për masakrën në Cetinje.
“Ky akt mizor çmendurie na bën thirrje të gjithëve që të gjejmë forcë dhe të japim të gjithë mbështetjen tonë për ata që kanë humbur të dashurit e tyre, si dhe të vazhdojmë të luftojmë së bashku për një shoqëri në të cilën vlerat më të larta njerëzore mbizotërojnë mbi urrejtjen dhe dhunën”, thuhet në mesazhin e presidentit Vuçiq të publikuar në rrjetet sociale.
Ai i shprehu ngushëllime edhe homologut të tij malazez, Jakov Milatoviq, me rastin e masakrës së tmerrshme në Cetinje dhe ofroi mbështetje nga Serbia për autoritetet shtetërore të Malit të Zi, si dhe për çdo lloj ndihme.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.