BALLKANI

Maqedonci: Institucionet e sigurisë së Kosovës të gatshme për t'u përballur me çdo sfidë dhe kërcënim

Ministri Maqedonci përmendi blerjen e dronëve Bayraktar nga Türkiye, si dhe nënshkrimin e marrëveshjes me prodhuesin shtetëror turk të industrisë së mbrojtjes "Makine ve Kimya Endüstrisi" për funksionalizimin e fabrikës së municioneve në Kosovë

Abdula Berisha  | 30.12.2024 - Përdıtësım : 31.12.2024
Maqedonci: Institucionet e sigurisë së Kosovës të gatshme për t'u përballur me çdo sfidë dhe kërcënim

Shkup

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci theksoi "investimet e jashtëzakonshme" të Prishtinës zyrtare në fushën e mbrojtjes, duke u shprehur se institucionet e sigurisë së vendit janë të gatshme për t'u përballur me çdo sfidë, raporton Anadolu.

"Ushtria e Kosovës, Policia e Kosovës, të gjitha institucionet e sigurisë në Republikën e Kosovës janë të gatshme për t'u përballur me çdo sfidë dhe kërcënim që tenton të cenojë integritetin territorial dhe jetën e qytetarëve tanë", tha Maqedonci në një konferencë për media.

Ai theksoi se gjatë këtij viti janë shpenzuar pothuajse 170 milionë euro, duke realizuar 100 për qind buxhetin e paraparë për ministrinë që drejton ai. Maqedonci theksoi se ky "buxhet rekord" ka ndikuar në zhvillimin e ushtrisë, duke ngritur kapacitetet në arsenal ushtarak dhe personel.

Ai u shpreh se është investuar në ngritjen e kapaciteteve luftarake përmes blerjes së armatimit, duke theksuar se gjatë këtyre katër viteve janë investuar mbi 270 milionë euro në blerjet ushtarake, që siç theksoi ai, është një dallim i jashtëzakonshëm me periudhën 2017-2020 kur ishin investuar vetëm katër milionë euro në këtë drejtim.

Ministri Maqedonci përmendi blerjen e dronëve Bayraktar nga Türkiye si dhe nënshkrimin e marrëveshjes me prodhuesin shtetëror turk të industrisë së mbrojtjes "Makine ve Kimya Endüstrisi" (MKE) për funksionalizimin e fabrikës së municioneve në Kosovë, e cila do të prodhojë kalibra të ndryshëm të municioneve sipas standardeve të NATO-s.

"Përveç dronëve Bayraktar, sistemeve të ndryshme të mbështetjes me zjarr, pra të artilerisë, por edhe sistemeve të ndryshme të armatimit, ne kemi vazhduar edhe me aspekte të tjera të forcimit të kapaciteteve tona mbrojtëse, duke vendosur për herë të parë bazamentin e industrisë së mbrojtjes përmes nënshkrimit të kontratës për hapjen e fabrikës shtetërore të municionit në Republikën e Kosovës, fabrikë që do të jetë e para e këtij lloji ndonjëherë në Kosovë", tha Maqedonci.

Ai u shpreh se kjo do të jetë fabrika e parë që prodhon municion luftarak ndërsa do të mundësohet edhe eksporti i municioneve në vendet e NATO-s.

"Ushtria jonë sot është më e fuqishme se kurrë, është më e pajisur se kurrë, më e përgatitur dhe më e trajnuar se kurrë dhe më e kompletuar me personel se kurrë më parë dhe më e gatshme për të mbrojtur sovranitetin dhe territorin e vendit tonë për të mbështetur autoritetet civile në rast të fatkeqësive natyrore si dhe për të marrë pjesë në operacione ndërkombëtare bashkë me aleatët tanë", u shpreh Maqedonci.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın