Husamedin Gina
07 janar 2022•Përditësim: 08 janar 2022
Të krishterët ortodoksë në Maqedoninë e Veriut shënojnë festën e Krishtlindjes, raporton Anadolu Agency (AA).
Liturgjitë e Krishtlindjeve mbahen sot në mëngjes në të gjithë tempujt e Kishës Ortodokse Maqedonase (KOM), kurse kremtimi qendror u mbajt në Katedralen "Shën Klimenti i Ohrit" në Shkup, ku shërbesa u kryesua nga Kryepeshkopi i Ohrit dhe Maqedonisë, Stefani.
Kryepeshkopi i Ohrit dhe Maqedonisë, së bashku me Sinodin e Shenjtë të Peshkopëve të Kishës Ortodokse Maqedonase dhe Kryepeshkopatës së Ohrit, me rastin e Krishtlindjes u dërguan meshtarëve, murgjve dhe të gjithë besimtarëve mesazh për Krishtlindje, duke uruar paqe dhe bekime për të gjithë.
Pas liturgjisë së Krishtlindjes, në katedralen në Shkup u lexua mesazhi i kryepeshkopit Stefan.
Në mesazhin e tij, ndër të tjera, kryepeshkopi maqedonas theksoi se duhet të krijohet dhe të ushqehet vazhdimisht një marrëdhënie e mirë me Zotin dhe me njerëzit, duke uruar që në vitin e ri të mposhtet "e keqja dhe armiqësitë që mbretërojnë në botë".