BALLKANI

Maqedoni e Veriut, shkatërrohen mjete të pashpërthyera të mbetura nga Lufta e Parë Botërore

Drejtori Maksuti kujtoi se në zonën qendrore të qytetit të Manastirit ishte gjetur sasia më e madhe (12.300 copë) predha artilerie të kalibrit 75 mm pa ndezës të mbetura nga Lufta e Parë Botërore

Husamedin Gina  | 18.12.2020 - Përdıtësım : 19.12.2020
Maqedoni e Veriut, shkatërrohen mjete të pashpërthyera të mbetura nga Lufta e Parë Botërore Foto: Husamedin Gina / AA

Shkup

Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim sot në Qendrën e Stërvitjes Ushtarake "Krivollak" organizoi shkatërrimin e mjeteve të pashpërthyera të mbetura nga Lufta e Parë Botërore, të gjetura në Manastir, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas shkatërrimit të mjeteve të pashpërthyera, drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Bekim Maksuti, dhe shefi i ekipit të piroteknikës në këtë drejtori, Eftim Mitrov, dhanë deklaratë për media.

Drejtori Maksuti kujtoi se në zonën qendrore të qytetit të Manastirit ishte gjetur sasia më e madhe (12.300 copë) predha artilerie të kalibrit 75 mm pa ndezës të mbetura nga Lufta e Parë Botërore.

"Pjesët jugore dhe jugperëndimore të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku kalonte linja e frontit të atëhershëm të Selanikut, ende fshehin rreziqe në formën e materialeve ushtarake me përmbajtje të rrezikshme, të cilat gjenden vazhdimisht nga piroteknikët tanë”, tha Maksuti.

Duke theksuar se shkatërrimi i kësaj sasie të granatave do të bëhet në mënyrë të njëpasnjëshme në disa faza, Maksuti tha se asgjësimi do të jetë i sigurt dhe pa ndotje të mjedisit sipas planit operacional të vendosur nga data 15.12.2020 deri në shkurt të vitit 2021.

Kreu i ekipit të piroteknikës në Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Eftim Mitrov, tha se sot mjetet e pashpërthyera u shkatërruan në 4 gropa, ku ishin vendosur nga 400 predha artilerie.

Duke dhënë detaje rreth procesit të shkatërrimit, Mitrov tha se këto mjete do të shkatërrohen me një total prej 3 tonësh eksplozivë.

Aksioni i mbledhjes, ruajtjes dhe transportimit të granatave në Krivollak u realizua me burimet e Ministrisë së Mbrojtjes, Ushtrisë dhe Ministrisë së Brendshme.

Kujtojmë se granatat u gjetën më 27 tetor të këtij viti, për të cilën Drejtoria, bazuar në nevojën e shfaqur, paraqiti një kërkesë në Ministrinë e Mbrojtjes dhe për të përfshirë piroteknikë të ushtrisë për shkak të vëllimit të aktiviteteve të transportit dhe shkatërrimit, ndërsa u informuan edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë të OSBE-së, NATO-s dhe BE-së në vend.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.