"Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria po realizojnë një bashkëpunim intensiv"
Presidenti Meta priti me një ceremoni zyrtare presidentin Pendarovski, ndërsa në konferencën e përbashkët për media, u fokusuan në marrëdhëniet mes dy vendeve dhe perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut

Tiranë
Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, po realizon një vizitë zyrtare në Shqipëri, ndërsa gjatë konferencës me homologun e tij Ilir Meta, theksoi se dy vendet po realizojnë një bashkëpunim intensiv, raporton Anadolu Agency (AA).
Presidenti i Shqipërisë, Meta, priti me një ceremoni zyrtare në Pallatin e Brigadave në Tiranë presidentin Pendarovski, ndërsa pas takimit, në konferencën e përbashkët për media, të dy homologët u fokusuan në marrëdhëniet mes dy vendeve dhe perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Meta: E vetmja rrugë mbetet anëtarësimi në Bashkimin Evropian
Meta theksoi gjatë fjalës së tij në konferencë se pas Marrëveshjes historike të Prespës, sipas tij mjaft e rëndësishme për forcimin e paqes, stabilitetit dhe perspektivës evropiane të rajonit, Maqedonia e Veriut po ecën e sigurt drejt anëtarësimit në NATO.
“Dua të shpreh kënaqësinë për angazhimin e presidentit si dhe të institucioneve të këtij vendi fqinj për të përmbushur të gjitha angazhimet dhe detyrimet që parashikohen nga Marrëveshja e Ohrit, pasi kjo sigurisht është tepër e rëndësishme në të gjitha aspektet, jo vetëm në forcimin e bashkëjetesës në Maqedoninë e Veriut, por edhe të vetë perspektivës evropiane të këtij vendi, të marrëdhënieve tona dhe të gjithë rajonit", tha Meta.
Presidenti Meta theksoi se ndajnë një qëndrim të përbashkët se e vetmja rrugë dhe e vetmja alternativë e pakonkurrueshme nga çdo ide tjetër për të dyja vendet, por edhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor, sipas tij, mbetet anëtarësimi në Bashkimin Evropian.
Meta theksoi më tej se “Kemi diskutuar për gjallërimin e marrëdhënieve dypalëshe akoma dhe më shumë, në të gjitha aspektet më konkrete, sidomos për përmirësimin e ndërlidhjes mes vendeve tona për sa i takon infrastrukturës, në mënyrë të veçantë asaj hekurudhore që është një domosdoshmëri, por edhe në fushën e energjisë dhe në shumë fusha të tjera”.
Pendarovski: Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria po realizojnë një bashkëpunim intensiv
Pendarovski tha gjatë fjalës në konferencë se marrëdhëniet midis Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë shënojnë vazhdimisht një trend pozitiv zhvillimi.
“Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria po realizojnë një bashkëpunim intensiv dhe frytdhënës që është edhe vërtetim për marrëdhëniet e përkryera midis dy shteteve. Ne na lidhin shumë gjëra, historia e përbashkët, gjeografia e përbashkët, e ardhmja e përbashkët euro-atlantike, si dhe sfidat e përbashkëta në pjesën me reformat dhe transformimet shoqërore. Republika e Maqedonisë së Veriut, një nga prioritetet më të larta ka ndërtimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë", u shpreh Pendarovski.
Presidenti i Maqedonisë së Veriut tha se me presidentin e Shqipërisë u pajtuan që obligimi i tyre si kryetarë të shteteve është të vazhdojnë të inkurajojnë të gjithë faktorët politikë që të vazhdohet me zbatimin e obligimeve nga axhenda evropiane, reformat dhe, siç theksoi ai, "të vazhdojmë t’i bindim liderët evropianë se negociatat me vendet e rajonit janë investim në stabilitet dhe prosperitet".
Pendarovski tha më tej se "Me presidentin Meta u dakorduam se me rëndësi të madhe për ne është edhe mbështetja e deritanishme e Shqipërisë për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO”.
Ai theksoi se “Konstatuam se duhet të drejtojmë energjinë dhe vëmendjen tonë edhe nga bashkëpunimi ekonomik, i cili nuk reflekton marrëdhëniet e mira politike. Sot propozova edhe një nismë për formimin e një grupi joformal për miqësinë maqedonase-shqiptare".
"Rajoni nuk duhet të jetë i harruar. Këtë vit ishim ne dhe Shqipëria në rendin e ditës. BE duhet të gjejë forma, mënyra dhe modalitete të afrojë edhe Baosnjë dhe Hercegovinën në Evropë, në aspektin institucional, dhe duhet të investojë resurse dhe ta afrojë procesin, që të përfundojnë negociatat mes Beogradit dhe Prishtinës, sepse pa mbylljen e këtyre proceseve dhe çështjeve, Ballkani nuk do të ketë stabilitet", tha Pendarovski.
Presidenti i Maqedonisë së Veriut mori pjesë edhe në punimet e Samitit të Paqes në Evropën Juglindore, ndërsa gjatë vizitës së tij zyrtare në Shqipëri do të takohet edhe me kryeministrin e vendit, Edi Rama, dhe kryeparlamentarin Gramoz Ruçi.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.