BALLKANI

Maqedonia e Veriut nënshkruan Partneritet të Sigurisë dhe Mbrojtjes me BE-në

"Ky është një moment historik në bashkëpunimin tonë dhe një hap i dukshëm përpara për një Evropë më të sigurt dhe më të integruar", tha Borrell në një postim në X

Abdula Berisha  | 20.11.2024 - Përdıtësım : 20.11.2024
Maqedonia e Veriut nënshkruan Partneritet të Sigurisë dhe Mbrojtjes me BE-në Foto: Arkiv / AA

Shkup

Maqedonia e Veriut nënshkroi Marrëveshjen e Partneritet të Sigurisë dhe Mbrojtjes me Bashkimin Evropian (BE), transmeton Anadolu.

Kjo kornizë e re politike për dialog dhe bashkëpunim për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes u nënshkrua nga Përfaqësuesi i Lartë për Punë të Jashtme dhe Sigurisë së BE-së, Josep Borrell, dhe nga ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski.

"Me ministrin Timço Mucunski nënshkruam Marrëveshjen e Partneritetit të Sigurisë dhe Mbrojtjes ndërmjet BE-së dhe Maqedonisë së Veriut. Ky është një moment historik në bashkëpunimin tonë dhe një hap i dukshëm përpara për një Evropë më të sigurt dhe më të integruar", tha Borrell në një postim në X.

Kryediplomati maqedonas përmes një postimi në rrjetet sociale informoi se Maqedonia e Veriut është vendi i parë në rajon që nënshkruan një partneritet të tillë.

"Me krenari ju njoftojmë se jemi vendi i parë në rajon që nënshkruajmë Partneritetin e Sigurisë dhe Mbrojtjes me Bashkimi Evropian. Sot në Bruksel pata nderin e madh të nënshkruaj këtë marrëveshje të rëndësishme me Përfaqësuesin e Lartë Josep Borrell, duke shënuar një moment historik në bashkëpunimin tonë me BE-në", tha Mucunski.

Ai informoi se në konferencën e përbashkët për media tha se ky partneritet është një hap jetik drejt një Evrope "më të fortë, më të bashkuar, të gatshme për të adresuar sfidat e sotme".

"Ne mbetemi të përkushtuar për thellimin e këtij partneriteti dhe avancimin e qëllimeve të përbashkëta të paqes, sigurisë dhe bashkëpunimit", shtoi Mucunski.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.